Kryepolici Ilir Proda zhvilloi në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, një takim me përfaqëuesit e kompanisë ”Meta PlatformsINC”, Kateryna Kruk, drejtuese Rajonale e Politikave Publike për Europën Qëndrore dhe Lindore dhe Birger Witt, Menaxher i Besimit dhe Sigurisë për Europën Qëndrore dhe Lindore.
Objekt i diskutimit ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e hapësirës digjitale. ”Takimi u përqendrua në adresimin e problematikave të hasura në platformat sociale të administruara nga kompania “Meta INC.”, si dhe në nevojën për krijimin e mekanizmave të përbashkët për rritjen e efikasitetit të hetimit dhe menaxhimit të rreziqeve online”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit falënderuan kompaninë “Meta INC.” Edhe për bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht për rastet emergjente që lidhen me mbrojtjen e të miturve, dhe shprehën gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
”Ky takim konfirmon përkushtimin e përbashkët për ndërtimin e një hapësire digjitale më të sigurtë për qytetarët dhe një proces hetimor më efektiv në përballje me sfidat kibernetike të kohës”. Në takim morën pjesë drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe drejtoresha e Hetimit të Krimeve Kibernetike Drejtues i Parë, Ervina Gjana.


