Pas një sherri në poliklinikën e qyetit të Divjakës, kreu i bashkisë, Fredi Kokoneshi u sulmua me thikë. Por kryetari është një personazh tipik sa i takon sherreve. Për të kjo nuk është hera e parë që përleshet.
Kokoneshi u sulmua me thikë mëngjesin e kësaj të premteje nga Erges Xhelili. Ai është dërguar në Spitalin e Lushnjës dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Erges Xhelili, më herët ka punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës. Nusja e Xhelilit aktualisht punon si shefe e infermiereve tek poliklinika e Divjakës, aty ku ka ndodhur edhe ngjarja.
Disa muaj më parë, ishte po vetë kryetari i Bashkisë së denoncoi dhunën e ushtruar ndaj tij. Fredi Kokoneshi tha asokohe se është grushtuar nga nipi i deputetit socialist Paulin Stërkaj. Ishte zyrtari që denoncoi se u ofendua dhe u godit me grushte nga 32-vjeçari Dritan Stërkaj, administrator i një resorti në Divjakë.
Kokoneshi nuk dha shumë detaje rreth motiveve të konfliktit që pati me 32-vjeçarin, i cili është administratori i “Divjaka Resort”, ndërsa dyshohet se shkak për sherrin ishte pagesa e taksave ndaj Bashkisë që resorti ka detyrim të paguajë.
Një tjetër episod, është që 15 deputetë të Partisë Demokratike i kanë kërkuar kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, që të bëjë verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e dekriminalizmit nga Kokoneshi. E gjitha kjo vjen pasi PD-së pretendon se ai rezulton i përfshirë dhe i dënuar për trafik të qënieve njerëzore në Itali. Denoncimi i parë për kryebashkiakun e Divjakës për të njëjtat akuza është bërë nga ish-sekretari i degës së PS në Divjakë dhe se që prej vitit 2012, në dijeni për këtë është edhe Drejtoria e Shërbimit Informativ të Lushnjes.
Nuk dihet nëse në zgjedhjet e 14 majit, PS-ja do të rikandidojë të tillë kryetar “sherrxhi” që mesa duket problemet i zgjidh me grushta. Ky është një rast i paprecedent. R.Sh/ Tirana News/