Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi është zgjedhur si zv/Presidente e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore, MNRA, kjo pas një procesi votimi ku u përfshinë përfaqësues nga 27 vendet anëtare.
Kjo është hera e parë që Shqipëria merr një pozicion të lartë drejtues në një nga platformat më të rëndësishme në fushën e transmetimeve të mediave audiovizive. MNRA është themeluar në nëntor të vitit 1997, si një hapësirë dinamike komunikimi dhe shkëmbimi praktikash mbi modelet dhe transformimin e tregut audioviziv.
Një nga qëllimet parësore të Rrjetit mbetet forcimi dhe përafrimi i qasjeve të vendeve anëtare në ballafaqimin e sfidave të sektorit audioviziv. Pjesë e Rrjetit janë autoritete rregullatore të Francës, Spanjës, Izraelit, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Portugalisë, Marokut etj, vende që përfshijnë gjirin e Mesdheut.
Aktualisht Presidencën e MNRA e mban Presidenti i Rregullatorit kroat, ndërsa Armela Krasniqi do të ushtrojë detyrën e zv.Presidentes.