Kryetarja e bashkisë së Durrësit, dhe kandidate e PS-së për një mandat të dytë, Emiriana Sako këtë të enjte ishte e pranishme në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për Projektin e Stadiumit “Niko Dovana”, ku garojnë për finalen 3 studio prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore: 51N4E (Belgjik) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV(Holandë). Ajo tha se bashkë me qeverinë shqiptare i hapet rrugë një tjetri projekti madhor, stadiumit të ri të Durrësit.
“Ka nisur një vit më parë një angazhim dypalësh me ministrin e Arsimit dhe Sporteve dhe bashkinë e Durrësit për ngritjen e klasave sportive, sot kemi mbi 300 nxënës që janë pjesë e skuadrave të shkollës në disiplinat sportive basketboll, volejboll duke krijuar kështu një lëvizje masive në shkollat e qytetit të Durrësit. Kemi vlerësuar të gjitha kapacitetet që ka bashkia jonë në terren dhe në mandatin që vjen do të parashikojmë ndërtimin e 9 terreneve sportive të shtrira në njësi të ndryshme administrative për t’u dhënë të gjithë fëmijëve mundësinë e aksesit në veprimtari sportive. Kemi përfunduar projektin e rikonstruksionit të pallatit të sportit “Ramazan Jala”, ku është një angazhim që e kemi me qytetarët e Durrësit dhe jemi duke zbatuar projektin e Parkut Vala ku në rreth 8 mijë m2 po ndërtohen fusha sportive të disiplinave të ndryshme”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Sako shtoi se vetëm 8 ditë më parë arritëm një marrëveshje me City Football Group dhe skuadrën Manchester City për të cilën falënderoi Kryeministrin për angazhimin maksimal dhe mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Duke folur për stadiumin e ri, Sako tha se “ky projekt vjen si gur themeli ku së bashku me projektet e Kryeministrit të infrastrukturës portuale, marinës Porto-Romano, projektin e amfiteatrit, projektin e hekurudhës Durrës-Tiranë, do bëjmë të mundur që Durrësi të jetë një qytet i mirëfilltë evropian”.