Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi thotë se fakti që deputeti Arben Ahmetaj nuk bën asnjë reagim, tregon që po i fshihet drejtësisë dhe masës së kërkuar nga SPAK, asaj të arrestit në burg pasi t’i hiqet imuniteti.
Në një lidhje për emisionin Opinion, Bardhi u shpreh se nuk ka Ahmetaj rrezikon 15 vite burg në bazë të akuzave të ngritura. Ai i ka bërë sërish thirrje Arben Ahmetajt që të përballet me drejtësinë dhe të bashkëpunojë me hetuesit.
“Në qoftë se Ahmetaj është larguar se ka arsye personale që do ishte krejtësisht njerëzore, do të kshte bërë një reagim publik. Fakti që është në heshtje tregon që është larguar për t’ju shmangur asaj mase që ka kërkuar Prokuroria. Pse mund të vendos Ahmetaj për të mos u përballur me drejtësinë, sepse rrezikon të paktën 15 vite burg. Duke u fshehur në një vend ku Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi, mund të vijojë i qetë jetën e tij ndoshta edhe në para nga korrupsioni të fshehura jashtë vendit. Nuk dua të aludoj. Të gjitha të dhënat flasin për arratisje, por i kam bërë thirrje z.Ahmetaj të vijë të përballet me drejtësinë dhe të bashkëpunojë për zbardhjen e plotë të aferës së inceneratorëve”, deklaroi Gazment Bardhi.