Kuçova është qytet industrial dhe kryebashkiaku Kreshnik Hajdari e kupton që të tërheqësh turistë është e vështirë, sidomos kur afër është Berati i cili ka shumë për ti ofruar një vizitori. Por në emisionin “Vendi Im” kryetari i bashkisë sqaron se shpreson të përdorë historinë e qytetit për të joshur turistët. Sipas Kreshnik Hajdarit Kuçova është i vetmi qytet në Shqipëri që prej 100 vitesh është fokusuar tek nxjerrja e naftës.
“Qyteti është ndërtuar që në fillesat e tij, industrial. Dhe për shkak të kësaj mundësitë për turizëm janë minimale në krahasim me pjesën tjetër të qarkut të Beratit. Megjithatë ne duam të përfitojmë nga ajo që ofron qarku e kryesisht Berati që ka njohur një zhvillim të madh sa i takon turizmit. Ajo ku duam të fokusohemi është historia jonë. Ne duam të ngremë një muze dhe ndoshta vitin tjetër do të fillojmë nga puna. Ideja është të ekspozojmë për vizitorët çdo gjë që është e mundur nga baza, nga ish-aviacioni i kohës. Por, jo vetëm nga aviacioni, edhe nga nafta. Fillesat e qytetit janë në vitet 1930 dhe në Kucovë ka ende industri të naftës në gjendje pune, që në ato vite,” sqaron kryebashkiaku i Kuçovës.
Në fund të Luftës së Parë Botërore, më 1918, nafta u zbulua nga inxhinierë austriakë. Nafta u shfrytëzua fillimisht nga kompania italiane AIPA, deri më 1943, ndërsa më 1944 ajo u shfrytëzua nga ushtria hitleriane. Më vonë, përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, burimet u shfrytëzuan nga regjimi komunist. Meqenëse gjatë kësaj periudhe naftës iu dha një përparësi absolute, qyteti kaloi në një stad tjetër, duke u shndërruar në një nga qendrat më të industrializuara të Shqipërisë. Në nder të miqësisë shqiptarosovjetike, më 10 korrik 1951, Kuçovës iu ndërrua zyrtarisht emri në Qyteti Stalin. Këtë emër qyteti e mbajti deri më 1990, kur rimori përsëri emrin Kuçovë.