Maturantët në të gjithë vendin tashmë po zhvillojnë konsultimet finale për provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2019, i cili do të zhvillohet ditën e premte në lëndën e gjuhës së huaj. Krahas njohurive për temat mësimore, ekspertët e arsimit e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, këshillojnë maturantët që në ditën e provimit të tregohen të kujdesshëm në ndjekjen e procedurave të kërkuara, pasi në të kundërt mund të rrezikojnë mosnjohjen e rezultatit të provimit, e për rrjedhojë të mbesin jashtë garës për raundin e parë të konkurimit për studimet e larta. Testi i gjuhës së huaj do të jetë i strukturuar në tre pjesë që janë: Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar që do ketë në përmbajtje rreth 50 për qind të pyetjeve, përdorimin e drejtë i gjuhës (gramatika dhe leksiku) që do ketë rreth 28 për qind të pyetjeve, si dhe të shkruarit me 22 për qind të pyetjeve. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës. Në vijim të shkrimit gjeni modelin se si do të jetë testi i gjuhës së huaj për lëndën e anglishtes.
Kujdes në ditën e provimit
Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve të miratuar pak më herët nga MASR, maturanti duhet të paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara orarit zyrtar të fillimit të provimit. Në çastin e paraqitjes në mjediset e provimit duhet të keni me vete detyrimisht dokumentin e identifikimit, si dhe mjetet e nevojshme për plotësimin e testit. Nëse ju mungon dokumenti i identifikimit ju nuk do të lejoheni të hyni në ambientet e provimit.
Kur duhet të ndryshoni testin
Çdo kandidat pasi merr testin nga administratori i provimit, duhet që të kontrollojë gjendjen fizike dhe përmbajtjen e testit (nëse është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe, si dhe nëse është lloji i testit që keni kërkuar gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z). Nëse vërehen parregullsi të kësaj natyre në testin që ju është dhënë duhet të kërkoni menjëherë ndryshimin e tij, duke firmosur dhe deklaratën përkatëse tek administratori i provimit. Vetëm në këtë formë mund të ndryshoni testin për të marrë të duhurin. Po sipas rregullave të përcaktuara, maturanti duhet të firmosë përbri emrit të tij në listën e sekretimit, ku të konfirmojë se e ka marrë testin përkatës. Në pyetjet me alternativa duhet që të rrethoni vetëm përgjigjen që mendoni se është e saktë. Në të gjitha rastet e tjera kur rrethoni më shumë se një alternativë, bëni shenja të tjera në test, apo nuk rrethoni asnjë prej tyre, do të vlerësoheni me zero pikë. Nxënësit që do të dorëzojnë testin para kohës së përfundimit të provimit nuk mund të dalin nga ambientet e shkollës, por do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen e mësuesve në ambiente të caktuara deri në kohën e mbylljes së testimit nga të gjithë kandidatët e tjerë. Maturanti ka të drejtë që të kërkojë fotokopjen e testit të tij në përfundim të të gjitha provimeve, por pavarësisht kësaj nuk do të ketë rivlerësim testi.
Gabimet që ju përjashtojnë
Shtatë janë shkeljet që nuk duhet t’i bëni gjatë plotësimit të testit, pasi në të kundërt do të përjashtoheni. Në rregulloren e provimeve specifikohet se maturanti do të përjashtohet nga provimi nëse: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr ose jep informacione me kandidatët e tjerë rreth përmbajtjes së testit, kur bën komente për zgjidhjen e pyetjeve, kur mban telefon celular, radio apo mjete të tjera të komunikimit me vete, kur refuzon kontrollin gjatë hyrjes në qendrën e provimit, si dhe kur prish qetësinë në mjedisin e provimit. Ndërsa në këto raste kandidatit nuk i njihet rezultati i provimit: nëse përdor laps apo stilolapsa me ngjyra në plotësimin e testit, nëse ka hequr, dëmtuar kodin e sekretimit (barkodin), nëse dëmton testin duke e grisur, zhubrosur, apo duke vënë shenja të caktuara identifikuese, si dhe kur vërtetohet nga komisioni përkatës i specialistëve se ka kopjuar.
Plotësimi i testit
Në të katër provimet e Maturës Shtetërore 2019, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara, përveç testit, duhet të plotësojnë dhe një fletë-përgjigje për pyetjet me zgjedhje (alternativa)”, bëjnë me dije ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Sipas modelit të zbardhur, testi për secilën lëndë të detyruar dhe me zgjedhje do të ketë në total 34 pyetje, 20 prej të cilave do të jenë me alternativa, ndërsa pjesa tjetër me zhvillim. Maturantët dhe të gjithë kandidatët e tjerë që do të marrin pjesë në provimet e këtij viti, duhet të plotësojnë në fillim testin, pastaj të plotësojnë fletë-përgjigjen për pyetjet me zgjedhje (alternativa). Pyetjet me alternativa mund të jenë të shpërndara në test (jo njëra pas tjetrës), por numrat e pyetjeve në tabelën e fletë-përgjigjes do të jenë në përputhje me numrin që secila pyetje ka në test. Maturanti udhëzohet për të mbushur rrathët e tabelës për secilën pyetje. “Mbushni me stilolaps rrethin që përfaqëson alternativën e saktë për secilën pyetje me zgjedhje (alternativa). Asnjë formë tjetër e përzgjedhjes së alternativave nuk do të konsiderohet si e vlefshme. Për çdo pyetje, qarkoni fillimisht alternativën e saktë në test, pastaj mbushni rrethin përkatës në tabelën e fletës së përgjigjeve”, këshillojnë ekspertët e QSHA-së.
Kujdes në këto raste:
- Nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë, përgjigja juaj për këtë pyetje do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë.
- Nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë.
- Nëse për një pyetje keni qarkuar alternativën e saktë në test, por NUK keni mbushur rrethin përkatës në tabelën e mëposhtme, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë.
- Maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
- Gjithashtu, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.