Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte e ftuar në “Report Tv” për të folur rreth turizmit në kohë krize. Teksa ka pasur diskutime për rritje të çmimeve dhe vështirësi për të përballuar pushimet në këtë sezon veror, ministrja bëri me dije se pjesa më e madhe e bregdetit është i rezervuar deri në shtator.
“Nga operatorët turistik, e gjithë jehona është shumë e mirë. Në të gjithë vendet ku kam shëtitur, në kontaktet me bizneset e turizmit, më konfirmojnë trend pozitiv në rritje. Edhe shifrat e INSTAT tregojnë rritje deri në fund të muajit maj. Unë mendoj që ka rritje të çmimeve se Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga tregu global. Rritja e ofertës turistike qoftë përmes strukturave agroturistike apo numrit të bujtinave në bregdet bën që të ketë oferta dhe për xhepa të cilët nuk i përballojnë rritjen e çmimeve në hotele. Po të shohim rezervimet, Gjirokastra dhe Përmeti janë të rezervuara deri në fillim shtatori. Kavaja dhe Durrësi janë të rezervuara deri në fund të sezonit. Rezervimet janë të ndryshme. Ka rritje të vizitorëve të huaj, 55% ndërsa 34% janë rezident në strukturat hoteliere”, tha Kumbaro.
Rezervimet i bëjnë pushues vendas por edhe të huaj, por shumicën e përbëjnë këta të fundit. Ndër të tjera, rritja e turistëve në Shqipëri mund të vijë prej rritjes së çmimeve në Turqi dhe Greqi.
“Kemi turistë nga vende që konsiderohen tregje interesante si Holanda, Serbia, Gjermania, Franca e Italia. Flasin për një ankesë që ka rritje të dukshme të çmimeve në Turqi dhe Greqi. Këta na thonë partnerët tanë operatorë, gjë që bëjnë që flukset të lëvizin”, tha Kumbaro.