Vitamina D luan një rol kryesor në ndërtimin e kockave të forta dhe përgjithësisht në ruajtjen e shëndetit të mirë. Për shumicën e të rriturve, marrja ditore e rekomanduar është 15 mcg (600 IU), të cilën mund ta merrni nga ekspozimi në diell dhe përmes ushqimeve të caktuara.
Sidoqoftë, disa njerëz mund të kenë nevojë për suplemente shtesë, në mënyrë që të shmangin simptomat e mungesës së vitaminës D, duke përfshirë lodhjen, dhimbjen e kockave, dhimbjet e muskujve dhe ndryshimet e humorit.
Por nëse doni të siguroheni që vitamina D është përthithur sa duhet nga trupi, duhet të dini edhe diçka: a ka rëndësi koha kur e merrni?
Në përgjithësi, është më mirë që vitaminën D ta merrni bashkë me vaktin më të plotë të ditës, që zakonisht është dreka, thotë Kristin Gillespie, MS, këshilltare për ushqimin.
Kjo, për shkak se vitamina D është e tretshme në yndyrë, gjë që përmirëson thithjen e suplementit. Një studim i fundit ka zbuluar se përthithja e vitaminës D ishte 32 për qind më e lartë kur shoqërohej me një vakt me shumë yndyrë. Në mënyrë të veçantë, pjesëmarrësit hëngrën një vakt të pasur me yndyrna të pangopura, të cilat mund të gjenden në ushqime si bajamet, avokado, farat chia dhe vaji i ullirit.
Gillespie, gjithashtu, sugjeron marrjen e vitaminës D dhe shtojcave të tjera të tretshme në yndyrë, të tilla si vitaminat A, E dhe K, veç e veç. Vitaminat e tretshme në yndyrë mund të zvogëlojnë përthithjen e vitaminave të tjera të tretshme kur merren njëkohësisht, sepse ato “konkurrojnë” për të njëjtët receptorë.
Mos harroni, nëse shqetësoheni ndonjëherë nëse po merrni një ekuilibër adekuat të lëndëve ushqyese, flisni me mjekun. Ai mund të kontrollojë nivelet tuaja të vitaminës D me një test të thjeshtë gjaku dhe t’ju ndihmojë të bëni çdo ndryshim të nevojshëm në dietën tuaj, duke përfshirë plotësimin, nëse kjo është e nevojshme.