Inxhinjer Luigj Pjetri është një prej njerëzve që ndezi turbinën e hidrocentralit të parë në kaskadën e Drinit, hidrocentralit të Vaut të Dejes. Në “Gjurmë” për gazetaren Edlira Prendi, inxhinjeri Pjetri tregon detaje për sfidat e ndërtimit të këtij hidrocentrali në vitin 1971.
“Hidrocentrali i Vaut të Dejës është i pari që është ndërtuar në kaskadën e Drinit. Mbas hidrocentralit të Ulzës, Shkopetit, Bistricës, radha i erdhi kaskadës së Drinit. është hidrocentrali i parë dhe në vitin 1971 është vënë në punë turbina e parë dhe ka filluar prodhimin e energjisë elektrike.
-Nga kërkimet që une kam bëre Z. Pjetri ju jeni një prej njerëzve që keni ndezur turbinën e parë të Vaut të Dejës, apo jo?
-Unë kam filluar punë në hidrocentralin e Vaut të Dejës në vitin 1969, në kohën që ishte në kulmin e montimit të agregatëve, pajisjeve dhe punimeve për ndërtimin e veprës. Kam pasur fatin e mirë të punoj ne laboratorin e këtij hidrocentrali me ekip inxhinjerësh shqiptarë shumë të mirë, por edhe me specialistë kinezë dhe kam marrë pjesë në kolaudimin, testimin dhe në vënien në punë të turbinës së parë, e pastaj me radhë të 5 turbinave të këtij hidrocentrali, ” rrëfen inxhinjer Pjetri.
Pasi përfundoi hidrocentrali i Vaut të Dejës, Inxhinjer Luigj Pjetri në vitin 1977 u bë drejtor i hidrocentralit të Fierzës, hidrocentralit më të madh që ka Shqipëria.
“Për mua ishte një përgjegjësi shumë e madhe, dhe kur kam marrë urdhërin e emërimit, me thënë të drejtën më ështe dukur diçka shumë e vështirë.
-Kush ua komunikoi emërimin Z. Pjetri?
-Mua më thirri ministri i asaj kohe, shoku Xhafer Spahiu dhe më komunikoi që: Partia ka menduar të të besojë drejtimin e hidrocentralit të Fierzës. Unë kam shkuar atje në majin e 77, ishte në kulmin e punimeve, diga nuk ishte ngritur as në gjysëm akoma, vepra ishte në montim e sipër “
Inxhinjer Pjetri tregon në “Gjurmë” si u ndërtua diga e Fierzës.
“Diga është e lartë rreth 165 metra. Kjo digë është e vecantë, sepse kjo digë është ndërtuar me material vendi, me argjil, me gurë dhe me zhavorr. Kjo digë ka rreth 9 milionë metër kub material, nga të cilat 2 milion metër kub janë vetëm argjil,” shpjegon inxhinjer Pjetri.
