Kurbneshi para viteve ’90-të ishte qendër e rëndësishme industriale. Gumëzhinte nga puntoria dhe aktiviteti prodhues i bakrit, prej të cilit nxirrej metali i çmuar i floririt. Qyteti dhe dy-tre fshatrat përreth numëronin mbi 6500 banorë. Numrin më të lartë të njerëzve të punësuar e zinte miniera e bakrit, pak kilometra mbi qytetin e ftohtë të Kurbneshit. Mirëpo tani Kurbneshi nuk mund të quhet më qytet. Ai ka mbetur si një zonë e bombarduar dhe gjithcka tani kujtohet me “ishte”. Pa mbërrirë në shëtiroren e dikurshme, plot me punëtorë e banorë të qytetit, në këmbët e urës mbi lumin Uraka, ato pak banorë që kanë mbetur kanë ngritur baraka që kanë zëvendësuar lokalet e dikurshme. Vetëm ky kontrast midis lokaleve të trajtimit të punëtorëve dhe barakave të sotme do të mjaftonte për të parë ndryshimin e madh dhe të pamenduar të Kurbneshit. Kanë mbetur më pak se 100 banorë, të strehuar në dy-tre pallate, ndërkohë që objektet e tjera janë shembur e po shemben dita-ditës. Ish pallatet e qytetarëve dhe fjetoret e punëtorëve janë rrënuar.
Moti mjaft i ftohtë dhe i acart në dimër ka ndikuar në amortizimin e objekteve. Të tjerë banorë në ikje e sipër e kanë hequr nga një tullë. Në jug të qytetit të shfaqet ish fabrika e parë e pasurimit të bakrit në vendin tonë. Kishte punësuar mbi 200 punëtorë. Në vitin 1953 specialistë gjermanë e shqiptarë e ngritën atë dhe për vite me radhë kjo fabrikë siguroi të ardhura kolosale për ekonominë shqiptare. 50 specialistë shqiptarë u specializuan në Gjermani për mbarëvajtjen e punës në fabrikë. I afrohesh pranë fabrikës së dikurshme dhe dallon si është katandisur ajo. Deri në vitin 1990 ajo përpunoi tonelata bakër, ndërsa tani kanë mbetur vetëm rrënojat.
Çfarë ka ndodhur me Fabrikën e Kurbneshit-shtrohet pyetja? Pas vitit 1990 ajo e ndali prodhimin pasi nga miniera e bakrit nuk prodhohej më mineral. Mbeti ashtu si mall pa zot por nuk pësoi dëmtime të mëdha. Marsi i vitit 1997 do të ishte fatal dhe për Fabrikën e Kurbneshit. Të fortët e zonës vunë dorë dhe nisën të marrin makineri e pajisje metalike të cilat i shitën jashtë vendit, kryesisht në Mal të Zi, në Nikshiq. Banorët pranë fabrikës tregojnë se shteti nuk ekzistonte. Njerëz të njohur nisën të çmontojnë çtë mundin, duke ngarkuar mjetet e tyre me hekurishte që shiteshin në tregun e zi. Brenda një kohe të shkurtër fabrika e humbi dhe pamjen e dikurshme. Ajo u katandis keq sepse shteti nuk mendoi ta privatizonte, ta jepte me konçesion apo ta vinte në punë atë. Askush, as ministria e linjës, as Albakri, as policia lokale nuk e ndalën shkatërrimin e një objekti kaq të rëndësishëm.
Selikoza dhe aksidentet vrastare
Mbi 180 ish minatorë të Kurbneshit kanë ndërruar jetë nën moshën 50 vjeçare për shkak të sëmundjes së selikozës. Specialistët e shëndetësisë thonë se kjo sëmundje e rëndë e organeve të frymëmarrjes në vendin tonë u zbulua pas viteve ’60-të. Silici është një element kimik që shoqëron bakrin. Është më i fortë se diamanti, shprehen ata. Pasi prek mushkëritë krijon “një merimangë” e cila jo vetëm pengon frymëmarrjen normale por dëmton njëkohësisht mushkëritë e personit të prekur. “Janë grimca mjaft të holla që krijojnë shqetësime serioze sapo i prekuri ftohet, preket nga gripi apo ka probleme të tjera shëndetësore”-thanë ata. Selikoza dhe aksidentet nuk kursyen as specialistët e lartë të minierës. Minatorët e mbetur gjallë kujtojnë me respekt ixhinierët Robert Mustafaraj, Petrit Kollaku, Ylber Nazifi, Spiro Vollai, të cilët humbën jetën për shkak të selikozës. Po ashtu kujtohen me dhimbje minatorët e parë të aksidentuar në minierë si Selman Cara, Gjin Pjetër Nikolla, Hajrulla Suçi, Tuc Preng Doda, etj. Minatorë dhe banorë të zonës thonë se ishte Preng Pepa ai që ngriti i pari zërin për realizimin e shpimit të lagët. Një masë e tillë minizonte maksimalisht prekjen nga selikoza. Kjo gjë u arrit në vitin 1954. Një masë e tillë shtoi jetën e minatorëve që nisën punën pas këtij viti, ndërkohë që qindra minatorë të tjerë nga rrethet Mat, Mirditë e Dibër ishin prekur nga sëmundja e rëndë.
Kurbneshi, vend internimi
Në vitet e dikaturës Kurbneshi është shfrytëzuar nga pushteti i kohës dhe si vend internimi. Janë disa familje që jetuan për vite të tëra në këtë qytet. Kurbneshi u përdor si vend internimi për shkak të motit mjaft të ftoftë, largësisë nga kryeqyteti, punës së vështirë në minierë, se strukturat e sigurimit ishin në gjendje të kontrollonin gjithçka, etj. Banorët e mbetur të Kurbneshit kujtojnë familjen e Kadri Hazbiut, Koço Theodhosit, Spiro Rushës, Hysen Budës, etj. I kemi njohur mjaft mirë djemtë dhe vajzat e Kadri Hazbiut, pohojnë banorët e pakët të Kurbneshit. “Petriti kishte mbaruar shkollën e lartë për inxhinier por e caktuan nëntokë si punëtor ngarkim-shkarkimi. Ishte i urtë dhe mjaft i sjellshëm me të gjithë”-sqarojnë ata. Mirditorët ruajnë konsiderata mjaft të mira për Agron Dautin (djalin e dytë të Kadri Hazbiut). Këtë mbiemër mbante Agroni kur lunte futboll me skuadrën e Dinamos. Kur e caktuan në galeri nuk e priti mirë një gjë të tillë. Edhe vëllai i madh thoshte herë pas here: “Agroni është i papërmbajtshëm”. Lajmin se ai u vetvra në galeri u prit me dhimbje jo vetëm nga të afërmit, por dhe nga ata që e njihnin e kishin punuar me Agronin. Kur i treguan Petritit nuk e besonte se vëllai ishte vetvrarë. Menjëherë pas njoftimit mbërriti në vendin e ngjarjes dhe është shprehur: “Edhe këtë na e bëre mor vëlla”! Sipas ekspertizës ai kishte lidhur dinamit në trupin e tij dhe kishte ndezur fitilin. Mirëpo ka dhe minatorë dyshues për ngjarjen. Ata nuk ngurojnë të shtrojnë pyetjen: U vra Agron Dauti apo e vranë? Njerëzit e tjerë të familjes së Kadri Hazbiut punonin në ndërmarrjen komunale. Pjestarët e kësaj familje, por dhe ato të familjeve të tjera të internuara paraqiteshin çdo ditë në zyrën e policisë dhe raportonin vendndodhjen e tyre. Koço Theodhosi fillimisht është caktuar drejtor i Fabrikës së Pasurimit, mirëpo pa kaluar gjashtë muaj ai është arrestuar e burgosur. Djali i tij, Arben Theodhosi ka punuar deri në vitet ’90-të në galeritë e minierës së Kurbneshit, si punëtor transporti.