Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëriti shqetësimet për një përballje të armatosur, me atë që e quan fqinj autokrat, Serbinë. Kurti thekson se Kosova është e përgatitur ti përgjigjet një sulmi të mundshëm, mes tensioneve në rritje me komunitetin serb në veri të vendit dhe se nuk ka frikë.
“Të kesh një autokraci si fqinj është problematike. Jemi vigjilentë dhe monitorojmë me kujdes zhvillimet. Kemi NATO-n dhe BE-në Kosovë, e pavarësisht se nuk jemi anëtarë, nuk kemi frikë. Kemi institucionet, organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe Kosova është një shtet tani. Nuk është më viti 1998. Është viti 2022 dhe ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, tha Kurti në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Nga ana tjetër, Kurti akuzon gjithashtu Rusinë që është aleati kryesor I Beogradit dhe ka vendosur veton ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, se po nxit tensione etnike në vendin e tij. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rindezën kur në prag të hyrjes në fuqi të vendimeve për targat dhe dokumentet e hyrje-daljeve për shtetasit serbë në Kosovë.