Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti këtë të hënë ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan George M. Wikoff.
Ky ishte takimi i parë mes tyre ndërsa Kurti e uroi për detyrën e re. Ai më tej shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të plotë.
Kurti theksoi se Kosova përbën një rrëfim suksesi të ndërhyrjes së NATO-s, duke nënvizuar se çlirimi dhe pavarësia e vendit janë shndërruar në bazë të zhvillimit ekonomik, demokratik dhe mirëqenies sociale.
Ai theksoi se angazhimi i Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO është përgjigjia më e mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon. Ai theksoi se siguria e Kosovës fillon me sigurinë e kufijve të saj.
Kurti foli edhe për institucionet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ai gjithashtu foli për investimet e vazhdueshme në sektorin e mbrojtjes.
