Vijon ushtrimi i “presionit” nga ana e Bashkimit Europian, që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
I pyetur nga “Radio Evropa e Lirë” për kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku nuk i komenton “të gjitha prononcimet e të tjerëve”. Ai tha se përsërit “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin”.
Kurti i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.