Hungaria dhe Sllovenia kanë paraqitur kandidatura për postin e komisionarit të Zgjerimit të BE-së. Të dy vendet kanë qasje pozitive ndaj zgjerimit, por ekspertët thonë se një komisioner hungarez do të çonte një mesazh negativ tek vendet skeptike me zgjerimin, Francën dhe Holandën. Më 18 tetor Këshilli i BE-së do të vendosë për fatin e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mbeten edhe disa muaj për paraqitjen e kandidaturave për anëtarët e Komisionit të ardhshëm Europian dhe deri tani dy vende kanë shprehur interes për mbuluar portofolin e zgjerimit të bllokut. Si Hungaria, ashtu dhe Sllovenia janë mbështetës të zgjerimit, por mbetet për të parë nëse përveç integrimit ekonomik dhe politik, a do të mbështesin ato edhe integrimin ideologjik.
Kryeministri slloven Marjan Sarec ka kandiduar Janez Lenarčič, kreun e misionit të vendit pranë Bashkimit Europian si komisioner për Zgjerimin. Këtë kandidaturë e ka mbështetur edhe eurodeputetja sllovene Tanja Fajon që njihet si një nxitëse e fortë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në bllokun europian.
Nga ana tjetër, Hungaria ka kandiduar ish-ministrin e Drejtësisë, eurodeputetin László Trócsányi. Ai gjithashtu ka shprehur interes për t’u bërë komisioneri i ardhshëm Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit.
Roli i komisionarit të Zgjerimit është kyç për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendim që do të merret më 18 tetor.
Pavarësisht qasjes së Hungarisë dhe Sllovenisë në drejtim të zgjerimit, për profesorin e Universitetit të Graz-it, Florian Bieber, zgjedhja e një komisoneri hungarez do të ishte fatal për vendet kandidate. Kjo sipas tij lidhet sjelljen problematike të Budapestit ndaj vlerave europiane dhe gjithashtu do të dërgonte një mesazh negativ ndaj vendeve skeptike, si Franca apo Holanda.
Vendet anëtare kanë kohë deri më 26 gusht për të propozuar kandidatët për komisonerë, ndërsa votimi do të zhvillohet nga Parlamenti në tetor, kohë kur edhe pritet një vendim për çeljen ose jo të bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.