Vetëm pak orë pas vendimit të Këshillit të Qarkut Dibër për vlerësimin e figurës së ish presidentit Haxhi Lleshi ka patur reagime të forta nga Partia Demokratike dhe të persekutuarit politik.
Zyrtarë të Këshillit Qarkut Dibër bënë me dije se tetorin e këtij viti organizata e veteranëve të LANÇ-it dhe shoqata e dëshmorëve Dibër kërkuan vlerësimin e figurës së Haxhi Lleshit me titull nderi, madje ata kërkuan edhe ngritjen e një busti në bulevardin “Elez Isufi” Peshkopi. Të interesuarit kërkuan që në kuadër të festave të nëntorit krahas figurave të tjera të vlerësohej edhe figura e Haxhi Lleshit.
Sipas veteranëve dhe shoqatës së dëshmorëve Dibër Haxhi Lleshi duhet vlerësuar se: “Ngriti çetën e parë partizane në Dibër, në fshatin Zogje, në qershor 1943 dhe më pastaj organizoi batalionin partizan të Dibrës. Ka qenë një nga figurat më të shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, bashkëpunëtor i ngushtë me Myslim Pezën, Baba Fajën, me Çetën e Matit dhe gjithë frontin antipushtues. Ka marrë pjesë në Konferencën e Pezës ku u zgjodh antar i Këshillit të Përgjithshëm të LANÇ-it. Ishte pjesmarrës në Kongresin historik të Përmetit dhe u zgjodh antar i Komitetit të LANÇ-it. Në 1947 zgjidhet antar i qeverisë së përkohshme dhe u ngarkua me detyrën e Ministrit të Punëve të Brendëshme. Nga 2 dhjetori 1945 deri në vitin 1991 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 1953 deri në 1982, kohë kur doli në pension ka ushtruar funksionin e zgjedhurit kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Haxhi Lleshi është dekoruar nga Federata Ruse Hero i Luftës së Dytë Botërore. Për merita patriotike nga Komiteti i Veteranëve të LANÇ-it propozohet ngritja e një busti në qytetin e Peshkopisë dhe vlerësimi i figurës së tij”.
Veteranët shprehen nëpërmjet një dokumenti se Haxhi Lleshi rezulton i padënuar më parë. Ky dokument është lëshuar me 6 dhjetor 2019 nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Vendimi ishte unanim, asnjëri prej këshilltarëve të pranishëm nuk e kundërshtoi këtë propozim të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, madje të gjithë ishin dakort për vlerësimin e figurës së Haxhi Lleshit. /tirananews.al/