Arratia e autorit që i vuri eksplozivin në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armand Duka ka zgjatur vetëm 24 orë. Mbrëmjen e kësaj të marte ka rënë në prangat e policisë 34-vjeçari Arlen Hasanaj. Mësohet se Hasanaj është pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar, më konkretisht i kompanisë ‘Euroshop Durrës’ themeluar në korrik të 2020, me ortak Albi Lika.
Kjo kompani ka si veprimtari përveç market bar-kafes, edhe në fushën e prodhimit, magazinimit të prodhimeve të ushqimeve blegtorale e bujqësore. Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për biznesin, kur inspektorët e Tatimeve shkuan një ditë më parë për kontroll në ambientet e kompanisë së vezëve “aiba”, në pronësi të kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe vëllait të tij deputet, Agron Duka thanë se kanë pasur denoncim nga një kompani që mendohet të jetë “Euroshop Durrës”. Ndërkohë, Hasanaj rezulton edhe pronar i një biznesi ku shitet gjithçka me 1 euro.
I riu u kap nga kamerat e sigurisë duke i vënë eksplozivin në derën e shtëpisë, i cili fatmirësisht përfundoi pa të lënduar. 34-vjeçari po merret në pyetje në ambientet e Policisë së Shtetit, e ndërsa uniformat blu thonë se kanë të gjitha provat që e inkriminojnë Hasanajn, si autor i kësaj ngjarjeje.
Në videon e publikuar Arlen Hasanaj, vjen me makinë, del dhe afrohet me qetësi dhe ndez me çakmak fitilin e lëndës plasëse tritol, sasia e vogël as 100 gram, dhe më pas e hedh te porta e hekurit. Pasi hedh lëndën plasëse, i riu largohet me vrap, ndërsa brenda pak sekondash ndodhi edhe shpërthimi. Askush nga familja e Dukës nuk ka dalë, ndërkohë që në video duket një grua përballë që del nga shtëpia dhe më pas brenda pak sekondave vjen Policia.