Deputeti i PD, Gazment Bardhi i ftuar në një emisionin televiziv, u përfshi në një debat me analistin Genc Burimi për shpalljen “Non Grata” të Sali Berishës. Pasi Burimi e cilësoi “ish ministër të Ramës”, Bardhi nuk hezitoi t’i kthente përgjigje por nuk la pa komentuar tonin e zërit të Burimit duke i kërkuar që të qetësohej.
Gazment Bardhi: U qetësove? Nuk kam zakon të jap leksione morale dhe besoj që zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë masakër zgjedhore. I besoj SHBA kur thotë që partia në pushtet ka blerë vota, sikundër dhe për të gjithë elementët që përmenden në raportin e DASH.
Genc Burimi: Pse e njohët?
Gazment Bardhi: Mos bërtit, çfarë ke që bërtet? Qetësohu, merre me qetësi. A do qetësohesh pak të lutem? Unë ndryshe nga ju zoti Burimi nuk marr përsipër ti kërkoj llogari SHBA.
Genc Burimi: Kush je ti, ti ish ministër i Ramës që i thua Berishës largohu nga grupi parlamentar.
Gazment Bardhi: Po ti kush je që më kërkon mua llogari? Nuk jam ministër i Ramës, jam zgjedhur me votat e qytetarëve, madje i zgjedhur dhe nga vetë Berisha për të shkuar atje. Personalisht kam bërë vlerësimin tim për vendimin e DASH, Kam vlerësuar që marrëdhënia me SHBA tejkalon interesin e secilit prej nesh.
Edhe të dhënat në ‘Wikipedia’ sollën diskutime mes Gazment Bardhit dhe Genc Burimit. Ndërsa analisti i thoshte se po justifikonte kryeministrin Edi Rama, deputeti demokrat tha se në kohën kur ishte Ministër i Drejtësisë i ktheu 2.5 milionë euro buxhetit të shtetit. Bëhet fjalë për kontratën e byzylykëve të mbikëqyrjes elektronike që do të shërbenin për të paraburgosurit apo të dënuarit me arrest shtëpie. Aso kohe, Gjykata i dha të drejtë Ministrisë së Drejtësisë për shërbimin e pakryer dhe ktheu 2.5 milionë euro në buxhetin e shtetit.
Gazment Bardhi: Kam qenë Ministër i Drejtësisë dhe sipas Kushtetutës, ministri është përgjegjës pa ndërhyrjen e askujt për fushën e veprimtarisë që trajton. Nuk e di si e ka francezja, por Kushtetuta shqiptare kështu e ka. Unë kam qenë ministër i drejtësisë i pavarur.
Genc Burimi: Sipas jush justifikoni Ramën kur thoni që përgjegjësia është individuale?
Gazment Bardhi: Në këtë rast, Rama ka përgjegjësi për ministrin për atë aferë korruptive. Ndoshta nuk e keni lexuar në Wikipedia, por për atë periudhë të shkurtër për rreth 2 muaj kur kam ushtruar detyrën, kam zbuluar një aferë korruptive, kam çuar kallëzim në gjykatë dhe shtetit shqiptar i janë kthyer 2.5 milionë euro. Nëse do të varesha nga kryeministri, nuk do të ktheja mbrapsht ato para. Nuk më ka penguar askush që gjatë veprimtarisë sime të bëja detyrën dhe të ndiqja rrugën civile që paratë t’i ktheheshin buxhetit të shtetit.
Sa i përket zgjedhjeve, kam bërë të gjithë përpjekjet e mia sa kisha kompetencat për të parandaluar fenomenet negative dhe kriminale. Jo vetëm kallëzuar mbi 36 funksionarë që ishin përfshirë në kundërshtim me ligjin por kam shkarkuar nga detyra me dhjetëra zyrtarë të tjerë.