Një qeveri pa shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kjo për të plotësuar kushtin e VMRO-DPMNE për të miratuar ndryshimet kushtetuese që do t’i lejonin hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut. Pas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), edhe Aleanca për Shqiptarët do të vendosë për dalje nga qeveria, për të realizuar kushtin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, që të mbështesë miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe formimin e një Qeverie të zgjeruar pa BDI-në.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, e ka kushtëzuar procesin e ndryshimit të Kushtetutës me një Qeveri të re që do të përgatiste zgjedhjet e reja, por pa BDI-në, e cila së bashku me Aleancën për Shqiptarët dhe LSDM-në përbëjnë Qeverinë aktuale.
Edhe pse VMRO DPMNE-ja nuk e ka përmendur Aleancën për Shqiptarët, kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, tha të hënën në Gostivar se ka informacione se VMRO-së i pengon që në qeveri të zgjeruar të jetë edhe partia që ai drejton. Paraprakisht, BDI-ja në organet partiake ka konfirmuar vendimin e saj për të mos marrë pjesë në Qeveri nëse ky do të ishte kushti i VMRO-së për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.
“Bashkimi Demokratik për Integrim është i gatshëm që të vendosë BE-në para çdo interesi tjetër partiak, politik apo të Qeverisë. Prandaj, jemi të gatshëm të mbështesin Qeverinë, në të cilën nuk do të ishte BDI-ja nëse kjo do të mundësonte që para formimit të saj, të arrijnë ndryshimet kushtetuese në fuqi”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se tani i takon VMRO DPMNE-së që mbështesë ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për vazhdimin e bisedimeve me BE-në për anëtarësim në union.
“Ne, si parti shtetformuese, që gjithmonë kemi marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit, i japim shansin VMRO DPMNE-së që për herë të parë të marrë pjesë në vendimet për realizimin e qëllimeve strategjike për vendin”, tha Kovaçevski.