PS rrëzoi në Kuvend dy kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore për çështjen ‘McGonigal’ dhe zgjedhjet e 11 majit, ndaj për këtë Partia Demokratike zhvilloi një mbledhje të grupit parlamentar. PD e quan vendimin e Kuvendit për mosngritjen e këtyre dy komisioneve, si një akt antikushtetues për opozitën dhe vetë parlamentarizmin.
”Refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës, për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore për farsën zgjedhore të 11 Majit dhe aferën personale me “McGonigal”, është një akt antikushtetues që asgjëson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar. Përmes këtij akti Edi Rama nuk asgjeson vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por vetë parlamentarizmin.
Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument i transparencës, jo i bllokimit politik. Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane.
Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kontrollon, kërkon llogari, nxjerr përgjegjësi. Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjesuan zgjedhjet e barabarta dhe të lira, duan të asgjesojnë edhe Parlamentin”, thuhet në postimin e Bardhit.
