Laert Haxhiu, i shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, do të dërgohet në burgun e Koridhalos në Greqi deri në shqyrtimin e dosjes së dokumentacionit për ekstradimin e tij. Ky është vendimi që dha sot Gjykata e Janinës. Gjykata u blindua me forca të shtuara sigurie gjatë seancës gjyqësore për masë sigurie ndaj dy shqiptarëve.
Deri në shqyrtimin e dosjes së ekstradimit të autoriteteve shqiptare, Laert Haxhiu do qëndrojë në burgun e Koridhalos. Avokatët e 31-vjeçarit deklaruan se Haxhiu nuk pranon asnjë akuzë për të cilat është dënuar në Shqipëri me 18 vite burg për masakrën e Lushnjes.
Sipas avokatëve, Laert Haxhiu nuk dëshiron të ekstradohet në Shqipëri dhe kërkon të qëndrojë në Greqi. Çështja do të shkojë në Bordin e Apelit kompetent për të vendosur pro ose kundër ekstradimit dhe më pas në Gjykatën e Lartë.
Për 35-vjeçarin Juxhin Bajrami, gjykata e Janinës vendosi ta lirojë pa asnjë masë sigurimi edhe pse akuzohet për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”, “falsifikim dokumentesh” dhe “dëshmi te rreme”.