Pas një rritjeje për disa muaj radhazi, interesat e depozitave kanë rënë sërish në mars, duke sjellë më pak fitime për të gjithë ata që vendosën të kursejnë në muajin në fjalë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i ponderuar për të gjitha afatet e maturimit për depozitat në mars ishte 0.23%, nga 0.26% që kishte qenë muajin e mëparshëm, niveli më i lartë në gati dy vjet ky.
Për depozitat 12 mujore, që janë më të preferuara për kursimtarët, interesi mesatar ka rënë nga 0.94% në shkurt në 0.9% në mars.
Tkurrjen më të madhe e kanë shënuar depozitat 6 mujore, nga 0.78% në 0.58%.
Rënia e ndjeshme e interesave gjatë viteve të fundit, si rrjedhojë e politikës së ndjekur nga Banka e Shqipërisë për të bërë koston e parasë më të lirë, kishte bërë që depozituesit t’u drejtoheshin maturiteteve afatgjata, duke i mbyllur paratë për më shumë se dy vjet, në mënyrë që të përfitonin nga interesat më të larta. Megjithatë, edhe normat e depozitave 60 mujore kanë rënë ndjeshëm me 0.23 pikë përqindjeje, në 2.1% gjatë muajit mars.
Më të fituara kanë qenë ata që kanë zgjedhur të mbyllin paratë për 48 muaj. Interesat e depozitave të reja për këtë afat u rritën ndjeshëm në mars, nga 1.55% në 3.04%.
Tkurrja e normave të kthimit nga depozitat ka ndjekur yield-in (interesin) e bonove të thesarit (letrave me vlerë të qeverisë), të cilat shërbejnë si referencë për tregun. Yieldi i bonove 12 mujore ra në 1.8% në ankandin e fundit, nga 3.2% që arriti në fund të janarit.
Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë treguan se depozitat në bankat shqiptare zbritën në 998 miliardë lekë në mars, duke shënuar rënie për të tretin muaj radhazi. Gjatë tre muajve të parë të 2017-n, nga bankat janë larguar neto rreth 15.7 miliardë lekë, apo gati 120 milionë euro, në krahasim me dhjetorin 2016 dhe ka qenë më e fortë në shkurt (-10.1 miliardë lekë).
Interesat e ulëta për kursimet, si në lekë ashtu dhe në valutë mbeten arsyeja kryesore se pse individët nuk po preferojnë të mbajnë kursimet në banka. Për depozitat 1 vjeçare në lekë norma e interesit është afër 1%, ndërsa për ato në valutë është afër zeros./Monitor