“Dështon për të disatën herë, miratimi i buxhetit nga këshilli bashkiak Prrenjas, për shkak të bllokimit që i bëri grupi i këshilltarëve të PS miratimit të tij”, shkruan kryetarja e Bashkisë Miranda Rira.
Siç e parashikon edhe ligji, në kushte të tilla, bashkia Prrenjas i është drejtuar Këshillit te Ministrave, për të shpërndarë këtë këshill të marrë peng nga PS sepse ai vetëm interesat e qytetarëve të Prrenjasit nuk përfaqëson më, por ka vetëm një synim, “bllokimin” me çdo kusht të punëve në komunitet dhe projekteve të Kryetares së bashkisë.
Më tej Rira thotë se: “Të gjithë banorët duhet ta dinë, se këtë “peshqesh” e kanë nga këshilltarët e PS, të cilët dirigjohen nga deputetët e PS të zones. Janë rreth 500 fëmijë të kopshtit e të çerdhes që duan ushqim e që pa kaluar buxheti, s’mund të bëhet gjë. Janë me dhjetëra emergjenca civile dhe shërbime që qytetarët tanë, mezi i presin. Buxheti është i banorëve, i komunitetit dhe jo i kryetares së bashkisë”
Mësohet se Bashkia Prrenjas është bashkia e vetme në 61 bashkitë e vendit, që ende nuk ka miratuar buxhetin e vitit 2019.