Tashmë nuk ka asnjë dyshim. Raporti mes dy liderëve të partive të reja, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit është krisur pas luftës për mandatin që koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet fitoi më 11 maj. Ndërsa Zeqir Kordhoni, daja i Shabanit, nuk heq dorë nga kërkesa për t’u bërë deputet, mes Lapajt dhe kreut të Nismës Thurje ka nisur një përplasje publike.
I pari reagim erdhi nga Lapaj menjëherë sapo u publikua lajmi se Kordhoni kishte dërguar letër në KQZ ku kërkonte të merrte mandatin nëse i vjen radha. E gjithë këneta, thotë Lapaj, është angazhuar që ai mos të shkojë në Kuvend, ndërsa mesazhin për aleatin e tij Shabani e ka të drejtpërdrejtë. As ti e as daja jot nuk do të merrni mandat, i thotë Lapaj, ndërsa shton se qameti do të jetë se as ai vetë nuk do të futet në Kuvend.
“Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament”, shkruan Lapaj.
Duket se Lapaj është i sigurt që as Kordhoni s’mund të shkojë në Kuvend, pasi që ai të bëhet deputet, duhet që 8 të parët e listës së mbyllur të refuzojnë mandatin. Mes emrave të parë ndodhen dhe familjarë të afërt të vetë Lapajt, i cili mund ta përdorë këtë moment që mandati të mos shkojë tek Kordhoni, por ta marrë ndonjë prej të afërmve të tij.
Lapaj thotë se Shabani e preu në besë, pasi ai është angazhuar publikisht për hapjen e listave dhe mbushjen e listave të mbyllura me familjarë. Por, i gjendur tashmë në këtë situatë, Lapaj duket se ndan rrugët me Shabanin dhe i thotë se nëse kërkon të mbahet mend në jetën publike në këtë mënyrë, mbarë i shkoftë bashkë me dajon.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.
Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon! Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë. Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI! Populli do gjykojë”, shkruan Lapaj.
Fillimisht Endri Shabani iu përgjigj aleatit Lapaj përmes këtyre vargjeve të një poezie ku duket se nënkuptonte se tashmë dajën e tij nuk e kishte më në kontroll. “Mora pushkën dola malit, Të luftoja në furtunë; Ku ta dija unë i ngrati, Se armiku isha unë.”
Por fill pas kësaj, përplasja në distancë u bë edhe më e ashpër, pasi Endri Shabani e akuzoi Lapajn publikisht se kërcënoi dajën e tij Kordhoni me fëmijët dhe për këtë arsye ai zgjodhi të mos tërhiqet nga kjo përplasje. “Të jem i sinqertë, unë nuk kam qenë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët nuk di çfarë të them”, shkruan Shabani në reagimin e radhës, ndërsa i liston Lapajt të gjitha arsyet e krisjes.
Fillimisht, Shabani i thotë Lapajt se ai duhet të jetë falënderues dhe jo ta sulmojë, pasi pa votat e Nismës Thurje nuk do ta kishte marrë kurrë mandatin. Më tej, Shabani i kujton Tikut, siç ai e quan, deklaratën publike se nëse koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet do të merrte vetëm një mandat, ai nuk do të shkonte për Lapajn. “Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij”, shkruan Shabani, ndërsa heq përgjegjësinë edhe nga kryeneçësia e dajës së tij duke e pyetur publikisht Lapajn kështu: “Nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim?”.
Të gjithë këtë corbë e gatove vetë, i thotë Shabani-Lapajt, duke shpjeguar edhe zanafillën e përplasjes për mandatin. “Si njeriu që firmosi listat, dhe që i vonoi dëri në 12 të natës, Tiku ka përgjegjësinë totale që gabimisht e futi Zeqirin në listë të mbyllur, duke e zëvendësuar me Majlina Zikon”, shkruan Shabani.
Një gjë është e sigurt, me këtë përplasje dhe nëse Kordhoni nuk bën hapa pas, Lapaj nuk ka asnjë mundësi të hyjë në Parlament.
