Përleshja mes dy presidentëve të Laçit dhe Tiranës në kryeqytet, rreth një orë pasi kishte përfunduar ndeshja mes dy skuadrave përkatëse në Kupën e Shqipërisë, ka marrë vëmendje më shumë se rezultatet teknike të takimeve të sotme. Po përtej dëmit të imazhit që kanë krijuar për veten dhe për klubet përkatëse, Pashk Laska dhe Refik Halili, rrezikojnë seriozisht edhe sa i përket kundravajtjes penale dhe çështjes të hapur mes tyre për zënkën pranë Sheshit “Shqiponja”.
Policia ka nisur hetimin ndaj tyre dhe ka ngritur akuzën duke u bazuar në Nenin 90 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ai Nen emërtohet “Dëmtime të tjera me dashje” dhe ndonëse të dy po hetohen në gjendje të lirë, masa ndaj tyre mund të përfshijë edhe burgun.
“Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”, shkruhet në Nenin në fjalë të Kodit Penal.