Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka mohoi të gjitha akuzat ndaj tij për inceneratorin e Elbasanit.
Në seancën gjyqësore, ai “shënjestroi” Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin si dy personat që kanë stisur çdo gjë kundër tij.
“Kjo është e stisur nga presidenti me fallxhoren e tij, që thoshte mejhaneve që do më fuste në burg. SPAK u bazua tek kallëzimi LSI, për 2 vite nuk më pyeti. Unë, si ministër, Sekretari i Përgjithshëm zbatuam ligjin, punuam me devotshmëri. Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, por unë s’i kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time. Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s’më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye, besoj se e vërteta do të triumfoj”, tha ai.
SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish-ministrin që me aplikim të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, do të dënohet me 6.8 vite burg.