Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Tiranë ka njoftuar se me 28 nëntor (data e shpalljes së pavarësisë) do të organizojë një marshim kombëtar për bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Me një status të gjatë në “Facebook”, qendra e Vetëvendosjes në Tiranë thekson se shqiptarët nuk kanë luksin ta shohin 28 nëntorin thjesht si festë, pasi sipas saj, ky është një projekt që nuk është zbatuar siç e kanë ëndërruar dhe dashur heronjtë e kombit shqiptar. Një tjetër plagë që përmendet nga Vetëvendosja është edhe ajo e largimit të shqiptarëve nga vendi. Edhe për këtë plagë të thellë të shoqërisë sonë, Vetëvendosje propozon një zgjidhje konkrete.
“Shpopullimi mund dhe do të përmbyset nga vetë shqiptarët me vullnet e me sakrifica për një organizim të qëndrueshëm që sjell transformimin e shoqërisë me modele ekonomike që ulin pabarazinë dhe sjellin zhvillim”-thuhet në njoftim.
Njoftimi i Vetëvendosjes:
MARSHIM PËR BASHKIM
Bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar
Shqiptarët nuk e kanë luksin ta shohin 28 Nëntorin thjesht si festë. 28 Nëntori është projekt i pazbatuar. Data përkujton shpalljen e Pavarësisë për një Shqipëri të bashkuar e të begatë, për të cilën dhanë gjithçka heronjtë kombëtarë. Por Shqipëria sot nuk është e begatë, shqiptarët nuk janë të bashkuar. Prandaj, 28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror. Këto synime kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës. Ky integrim do të rrisë cilësisht demokracinë, do të zhvillojë ekonominë, do të forcojë shtetformimin, dhe do të përmirësojë ndjeshëm pozitën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tjera dhe të atyre që jetojnë në mërgim.
28 Nëntori, data që na kujton se për sa kohë jemi të ndarë, nuk arrijmë dot begati, zhvillim e siguri. Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur. Demokracia nuk ka kuptim tjetër përveç sovranitetit, dhe sovraniteti është mundësia e një populli për të zhvilluar vetveten. Goditjet ndaj së përbashkëtës, rrënimi i publikes kudo ku ajo shfaqet, po ia cenon Shqipërisë sovranitetin e brendshëm përditë e më shumë. Sovraniteti, zhvillimi dhe drejtësia në Shqipëri janë të pandashme nga çështja kombëtare. Kush rrënon sovranitetin e Shqipërisë, kush rrit pabarazinë shoqërore, kush përfiton prej mjerimit e varfërimit të shumicës, kush thellon padrejtësinë duke dobësuar shtetin e demokracinë, është drejtpërdrejt kundërshtar i çështjes kombëtare shqiptare.
