Liga e Kampionëve i ka lënë vendin emocioneve të Ligës së Europës ku në fakt, ka shumë klube elitare që pritet ta bëjnë një turne emocionues. Në fushë do të zbresin disa nga skuadrat më të mëdha në Europë, ku me interes pritet Lacio-Sevilja, Malmo-Çelsi, Rapid-Interi, BATE-Arsenal apo edhe Zyrih-Napoli.
Përveç klubeve elitare, ka edhe shumë futbollistë shqiptarë të cilët do të nisin fazën më të vështirë të Ligës së Europës dhe asnjëri nuk ka ndeshje të lehtë në letër. Një derbi shqiptarësh mund të konsiderohet ndeshja Zyrih-Napoli, duke qenë se Hekuran Kryeziu, Mirlind Kryeziu e Kololli, do të jenë përballë Elseid Hysajt.
Strakosha me shumë gjasa do të jetë titullar ndaj Seviljas, ndryshe nga faza në grupe ku vendin e tij e zinte portieri i dytë. Amir Rrahmani i Dinamo Zagrebit do të luajë ndaj Plzenit në transfertë, ndërkohë që edhe Egzon Binaku i Malmos ka një përballje të vështirë ndaj Çelsit të Sarrit.