Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka hedhur akuza të ashpra ndaj presidentit Bajram Begaj, pasi ky i fundit dekretoi propozimet e qeverisë për ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore, duke rrëzuar kështu kërkesat e opozitës për ngritjen e tyre.
Në një reagim në rrjetet sociale, Xhixho shprehet se “ai ka zgjedhur të bëjë komisarin e partisë dhe jo detyrën si Kryetar i Shtetit”, ndërsa shton se çdo pretendim se Bajram Begaj mund ta kthente ligjin për komisionet hetimore në Kuvend është vetëm një iluzion i kotë.
“Ai edhe më parë ka dëshmuar që nuk mbërrin dot në lartësitë e përgjegjësisë së Kryetarit të Shtetit. Sepse, ai që prej ditës së parë kur u emërua në detyrën e Presidentit ka zgjedhur të bëjë të perulurin ndaj maxhorancës, ka zgjedhur të bëjë shërbëtorin dhe noterin e saj”, shprehet Xhixho.