I vetëquajturi “Gjenerali”, Nehat Kulla, është liruar nga qelitë e burgut. Nehat Kullës i ka përfunduar dënimi me 20 vite burg për vrasjen e Halim Gjuzit, dënim i cili ishte dhënë në vitin 1998-të.
Halim Gjuzi ishte shoferi i ish-zv/ ministrit të Arsimit, Halit Shamata.
Kulla nga sot është i lirë, pavarsisht se dyshohet për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale në vitet 1997-1998, por që nuk u gjetën prova nga drejtësia.
Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998. Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajti të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajti repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetes edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.