Ditën e sotme Gjykata e Fierit ka liruar Sardian Sulejmanin duke i faluar thuajse 5 vite burg. Vendimin për të anëtarin e bandës së Durrësit, i dënuar me 25 vite burg, e ka dhënë gjyqtari Piro Sota.
Sulejmani u dënua nga Gjykata e Lartë me 25 vite burg, me akuzën “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, dhe për “Vrasje me paramendim”, pasi akuzohet se ka vrarë Avni Gashin, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.
Por kjo nuk është hera e parë që gjyqtari tregohet dorëlëshuar me të pandehurit dhe të dënuarit.
Ka qënë pikërisht gjyqtari Sota, ai që ka liruar të dënuarin e dosjes ‘Xibraka’, nipin e diktatorin Enver Hoxha, Ermalin. Hoxha ka lënë qelinë e burgut edhe pse dënimi prej 6.8 vite nuk i kishte përfunduar sipas afatit. Ermal Hoxha ishte dënuar me burg pasi akuzohej nga Prokuroria për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal që kryente trafik ndërkombëtar kokaine. Falë ‘zemërgjerësisë’ së gjyqtarit Ermal Hoxha vuajti vetëm tre vite burg.
Por kjo nuk është e vetmja herë që gjyqtari tregon se e ka zemrën e bardhë…
Piro Sota tërhoqi vëmendjen e medias pasi vendosi që t’i rikthente pronat dhe pasuritë shtetasit Fatmir Kajolli, i dënuar në Itali për trafik droge.
Gjykata e Fierit e refuzoi kërkesën për ekstradim të paraqitur nga drejtësia italiane ndaj Fatmir Kajollit, i cili do të vuante 40 vite në qeli në shtetin fqinjë për trafik ndërkombëtar droge. Në një seancë të posaçme gjatë ditës së sotme kreu i trupës gjyqësore Piro Sota kontestoi letërporosinë e mbërritur nga pala italiane për ekstradimin e Kajollit si një dokument me parregullsi dhe probleme ligjore.
Ndonëse ishte dënuar me burg në Itali, Kajolli vuajti vetëm dy vite heqje lirie në Shqipëri, pasi nga burgu doli me vendim të gjyqtarit Sota. Piro Sota i njohu Kajollit më shumë se dy vite përfitim nga amnistia duke e lënë në ‘arrest shtëpie’.
Fatmir Kajolli një person me influencë në Fier, i njohur si biznesmen, por dhe me angazhime në jetën publike të qytetit si anëtar i këshillit bashkiak nga Partisë Republikane.Kajolli njihej edhe si mik i ngushtë i kreut të PR dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Mesa duket sistemi i drejtësisë është mbushur me gjyqtarë zemërbardhë dhe që besojnë se krimi vuhet në ndërgjegje gjatë gjithë jetës dhe jo brenda mureve të qelisë. Njësoj si Sota ka vepruar edhe gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha e cila liroi Endrit Doklen. Për këtë të fundit ministrja e Drejtësisë kërkoi Vetting, ndjekje penale dhe shkarkim nga detyra. A do të kërkojë të njëjtën gjë edhe për Sotën?/ dosja.al