Kombëtarja shqiptare do të luajë sfidat e fundit në grupet e Ligës së Kombeve kundër Izraelit në transfertë dhe Islandës. Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja ka shpallur edhe listën me emrat e 24 lojtarëve që do të grumbullohen për këto dy sfida vendimtare për renditjen e Shqipërisë.
Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Rey Manaj dhe Odise Roshi do të mungojnë për shkaqe dëmtimesh, ndërkohë që janë rikthyer Arlind Ajeti, Albi Doka dhe është konfirmuar Adrian Bajrami .
Përfaqësuesja kuqezi do të grumbullohet këtë fundjavë në kompleksin Tropikal në Durrës dhe pas 5 ditësh përgatitjet do të niset për në Izrael, ku të shtunën, datë 24 shtator, në mbrëmje do të përballet me vendasit në një nga ndeshjet më të rëndësishme të grupit me ndeshen që luhet në stadiumin “Bloomfield” të Tel Avivit.
Më datë 27 shtator, Shqipëria do të presë Islandën në stadiumin “Air Albania” për duelin e fundit të grupit, që starton në ora 20:45. Të shtunën në mesditë trajneri Reja do të jetë në një konferencë për shtyp para gazetarëve për të folur në lidhje me listën e lojtarëve dhe objektivat në këto dy ndeshje.
