Tranjeri i ekipit kuqezi ka zbuluar listën me 25 lojtarë, që ka ftuar për të përfaqësuar kombëtaren në dy sfidat kualifikuese të shtatorit për kampionatin europian “Gjermani 2024”.
Rikthehet mbrojtësi Arlind Ajeti, që ka veshur fanellën kuqezi si titullar i padiskutueshëm në Europianin 2016. Po ashtu është rikthyer në kombëtare “raketa” Odise Roshi, i cili luan për Sakaryaspor në ligën e dytë të Turqisë.
Ka risi në sulmin kuqezi pasi do ti shtohen reapartit ofensiv dy bomberë nga Kosova si Mirlind Daku dhe Arbnor Muja. Sulmuesi i Rubin Kazan dhe ai i Antwerp janë pajisur prej ditësh me pasaportën shqiptare dhe ftohen për herë të parë në kombëtare.
25 lojtarët në listën e Silvinjos do të jenë të gatshëm për sfidën që luhet në transfertë ndaj Republikës Çeke më 7 shtator dhe ndeshjes me Poloninë, që luhet tre ditë më pas, më 10 shtator në stadiumin “Air Albania”.