Kreu i PD-së Lulzim Basha pasi ka dalë nga Prokuroria ku u mor në pyetje, tha se organi i akuzës nuk ka asnjë provë ndryshe përsa i përket çështjes së lobimit rus, por sipas tij arsyeja është që të shpërqëndrojë gazetarët dhe qytetarët për skandalet e plasura në Bild. Të tjera skandale do të publikohen nesër nga gazeta gjermane tha Basha.
Lexo edhe- Basha nuk paraqitet: Thirrja në prokurori është në shkelje të ligjit
“Arsyeja e vetme pse jam sot para jush është të shërbejë si shpërqëndrim për ju dhe për qytetarët për skandalet që kanë plasur nga Bild dhe ato që do plasin nesër. Prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe apo shtesë që nga 25 maji kur unë isha këtu për herë të fundit. Zyrtarisht mu komunikua se nuk ka asgjë të re, kjo për një arsye të thjeshtë sepse kjo akuzë është montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës”, tha Basha.
Ai u shpreh se u njoh me akuzën, që sipas tij nuk është akuzë “sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument të falsifikuar në dosje, asnjë trasaksion parash për pastrim parash”.
Ndërkaq, Arben Ristani ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike u paraqit një ditë më parë në prokurorinë e Tiranës ku u njoh me dy akuzat, atë të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Falsifikimit të Vulave, stampave dhe formularëve”. Paraqitja e Ristanit në prokurori është bërë vetëm një ditë pasi, prokuroria urdhëroi policinë e Tiranës që Ristanin, Lulzim Bashën dhe Ilir Dervishin ta shoqërojnë me forcë.