I ftuar në një intervistë televizive, deputeti demokrat Luan Baçi ka komentuar platformën që prezantoi Enkelejd Alibeaj për bashkimin e PD.
Baçi deklaroi se platforma e paraqitur nga Alibeaj ishte jo-bashkëpunuese ndërsa shtoi se ishte bërë vetëm nga një person, dhe pa konsultuar me deputetë të tjerë. Sipas tij bashkimi i demokratëve bëhet vetëm nëpërmjet proçeseve zgjedhore, ndërsa shtoi se ky proçes është i vazhdueshëm.
Luan Baçi: Nuk është mision i pamundur, thjesht platformë e paraqitur nga Alibeaj, është jo-bashkëpunuese, jo për bashkëpunim. Një platformë e pakonsultuar, një platformë që thjeshtë është bërë nga një njeri dhe jo për të mirën e kësaj partie.
Ky proçes është i pandalshëm, nuk ka organ dhe mekanizëm për ta ndaluar. Ky proçes zgjedhor, po ecën shumë mirë dhe PD, po bashkohet çdo ditë. Në Fier sot që flasim anëtarësia po voton për të zgjedhur delegatët për Kuvendin e 30 prillit dhe kryesinë e degës. Jemi në një proçes zgjedhor të vazhdueshëm. Në Fier jemi drejt përfundimit. Sot mbaron Patosi, në datën 20 kemi degën e Divjakës për zgjedhjen kryetar dege.
Është edhe dega e Lushnjës që është në një proçes të vonuar për arsye të fushatës. Nisur nga kjo, mendoj se është një proçes që bën bashkimin e demokratëve. Bashkimi i demokratëve bëhet në bazë të proçeseve zgjedhore, dhe bëhet mbi bazën e votës së lirë dhe demokratëve, jo me platformë dhe pika që merret ok nga disa deputetë.
Më tej ai shtoi se platforma e Alibeajt, nuk i shërben PD, ndërsa theksoi se është një lojë që u është lënë detyrë nga Basha.
Luan Baçi: Platforma e paraqitur nga Alibeaj, nuk i shërben PD, bashkimit të PD-së, gjithpërfshirjes të anëtarësisë të PD, po është një lojë që po vazhdon Alibeaj me disa deputetë të tjerë, dhe një detyrë që u ka lënë Basha.