Situata e rënduar e luftës në Izrael ka shkaktuar anulimin e prenotimeve të turistëve nga ky shtet për të vizituar Gjirokastrën. Përgjatë vitit 2023 dhe kryesisht në muajt e verës ka ardhur në rritje numri i turistëve izraelitë që vizituan qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat.
“Gjatë sezonit të verës kemi pasur ardhje të izraelitëve këtu në qytetin tonë kurse tani në periudhën e vjeshtës ata kanë pasur prenotime, kanë pasur për të ardhur këtu dhe i kanë anuluar për shkak të gjendjes së tyre”, thotë Elektra Liti, guidë turistike.
Interesi i turistëve izraelitë për Gjirokastrën ishte i madh deri në ditën që në shtetin hebre shpërtheu lufta.
“Më shumë kanë parapëlqyer të vizitojnë shtëpitë karakteristike gjithashtu edhe kalanë, e cila është gjëja kryesore përse vinin këtu. Mendoj kanë qenë të moshuar, por ka pasur edhe turistë izraelit me moshë te re”, tregon ajo.
Edhe në këto ditë vjeshte Gjirokastra vazhdon të mirëpresë turistë vendas dhe të huaj ndërsa vizitueshmëria për vitin 2023 është mbi 400 mijë vizitorë.