Një sulm me dronë dhe raketa në rajonin e Kordofanit Jugor të Sudanit ka shënjestruar një kopsht fëmijësh, ku si pasojë janë vrarë të paktën 50 persona, mes tyre 33 fëmijë.
Organizata mjekësore, “Rrjeti i Mjekëve të Sudanit” dhe ushtria akuzuan si përgjegjëse për sulmin, grupin paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Sipas ministrisë së jashtme të lidhur me ushtrinë, kopshti u godit dy herë me raketa.
Duke komentuar raportimet për sulmin, një zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF, tha: “Vrasja e fëmijëve në shkollën e tyre është një shkelje e tmerrshme e të drejtave të fëmijëve. Fëmijët nuk duhet ta paguajnë kurrë çmimin e konfliktit”.
I shtrirë midis kryeqytetit të Sudanit, Khartum, dhe Darfur, rajoni i përbërë nga Kordofani i Veriut, Kordofani i Jugut dhe Kordofani Perëndimor ka qenë një vijë e frontit në luftën civile. Sudani është shkatërruar nga lufta civile që vazhdon që nga prilli i vitit 2023, midis RSF-së dhe ushtrisë.
