Në më pak se një vit, në Shkodër janë vrarë në mënyrë misterioze 11 persona, ndërsa janë zhdukur dy të tjerë. Shënjestrat si edhe brutaliteti i vrasjeve tregon se qyteti është duke përjetuar një luftë mes grupeve kriminale, ndërkohë që policia nuk ndërhyn për të vendosur qetësinë.
Por, kjo që po ndodh sot në Shkodër i ka rrenjët thellë, në vitet e para të demokracisë në kë qytet, ku filloi edhe lulëzimi i grupeve të të fortëve, të cilët më pas u forcuan përmes vendosjes së gjobave, trafiqeve dhe fajdeve.
Pikërisht prej këtij aktitiviteti, brenda dhe jashtë vendit qyteti po përballet edhe sot me krime të tmerrshme, të cilat e kanë zanafillën dekada më parë.
Qyteti ka parë shumë grupe kriminale që janë shkrirë pas eleminmit të krerëve të tyre, ndërsa tashmë sipas Fatmir Xhafajt katër janë grupet që kontrollojnë krimin në qytet, me dy familje kryesore.
Vrasja e fundit e vëllezërve Bilali ka rikthyer vëmendjen tek krimet më të bujshme në qytet.
Disa nga vrasjet e bujshme janë ajo e Cim Cafit, apo ekzekutimi me snajper e Xhabir Shegës (Vid Shega) në verën e vitit 2015 pasi kishte kryer 12 vite burg për vrasjen e Indrit Bajrit në vitin 2001.
2 gusht 2000
Vritet në rrethana ende të paqarta Drejtori i Policisë së Shkodrës, Kolonel Arben Zylyftari. Për vrasjen e tij u akuzuan Tafilët, krim të cilin nuk e pranuan asnjëherë. Aty u vra edhe Bahri Tafili, babi i vëllezërve Genc dhe Admir Tafili, të cilët tani gjenden në burg.
21 tetor 2001
Pas një debati me të, Ilmir Hajdari (Mir Vetlla), Xhabir (Vid) Shega dhe Enver Barbullushi hasën me makinë 21 vjeçarin Indrit Bajrin, ku pasi janë sharë dhe kërcënuar në drejtim të tij është qëlluar me armë duke e lënë të vdekur.
9 gusht 2004
Vritet në hyrje të shtëpisë Emin Spahia, Kryetari i Lidhjes së Misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve. U dyshua se vrasja e tij ndodhi për shkak se njëri fis nuk mbajti besën e dhënë për faljen e gjakun ndaj fisit tjetër, megjithatë deri më tani nuk ka ende të akuzuar zyrtar për këtë krim.
Shtator 2006
Vritet në mes të Shkodrës Çlirim Cafi ose siç njihej ndryshe, Çim Cafi, anëtar i familjes së Cafëve, e njohur në zonën e Shkdorës. Cafi ka qenë i skeduar nga policia e Shkodreë dhe i denuar disa herë nga drejtësia shqiptare. Ai është dënuar nga Gjykata me pesë vite burg për vrasjen e dy kushërinjve, ndërsa ishte dënuar edhe me 1 vit burg për pengmarrje. Deri më sot nuk ka asnjë të akuzuar zyrtarisht për këtë ngjarje, ndërsa në Shkodër flitet se tashmë është marrë edhe haku për vrasjen e tij.
15 maj 2008
Vritet me një plumb në zemër nga një snajper biznesmeni Esat Valbona. Vrasja e tij ka ndodhur në lagjen Xhabije në momentin kur biznesmeni ka dalë nga një lokal bastesh, ai ka arritur vetëm të thote: “Më qëlluan” e më pas është shtrirë përdhe i mbuluar nga gjaku. Deri tani kjo vrasje është mbuluar nga një mister i madh pasi biznesmeni nuk dihet të ketë pasur ndonjë konflikt apo hasmëri që mund të ketë sjellë këtë krim.
6 shtator 2008
Një ngjarje makabre do të trondiste qytetin ku Frederik Qerthaqi do të vritej me 10 plumba, gjashtë prej të cilëve do t’i merrte në kokë. Policia zbuloi se vrasja u krye nga dy persona, por vetëm kaq. Edhe sot ajo mbetet mister.
19 shtator 2008
Vritet në afërsi të shtëpisë së tij biznermeni Enver Ramadani (Hyseni). Vrasja është mbuluar nga misteri edhe pse në fillim u dyshua se ajo u krye për hakmarrje.
19 qershor 2009
Do të vritej në mënyre mafioze Aleks Keka, kreu i PDK-së për Malësinë e Madhe. Ai u vra me bombë me telekomandë duke drejtuar makinën e tij Mitsubishi Pajero. Keka vdiq në vend pa i dhënë mundësinë askujt për ta dërguar në spital. Ekzekutorët dhe porositësit nuk janë gjetur kurrë.
12 mars 2010
Vritet biznermeni Astrit Meshnuni. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 fare pranë vilës së banimit të 45-vjeçarit, babai i re fëmijëve. Ai u dërgua menjëherë në spital, por ka gjetur vdekjen atje, ndërsa autori është larguar në drejtim të paditur.
29 gusht 2010
Vritet në një pritë në rrugë, efektivi i Policisë Rrugore, 41 vjeçari, Kolë Ndreshaj. Nuk pati as të dyshuar dhe as të arrestuar.
8 tetor 2010
Vritet për gjakmarrje Pastori i Kishes Ungjillore Dritan Prroj. Vrasjen e kreu Mark Njemza për gjakmarrje pasi sipas tij, xhaxhai i pastorit kishte vrarë disa vite më parë xhaxhain e tij. Njemza pranoi krimin në gjykatë.
14 mars 2011
Vritet me dy plumba Astrit Kurtmemaj. Ai ishte dënuar me 20 vite burg për vrasjen e Luan Muçës, por për sjellje të mirë i ishin dhënë 5 ditë leje shpërblyese nga burgu i Fushë-Krujës. Në momentin e vrasjes, Kurtmemaj po ecte në lagje me kapuç dhe syze por vrasësi e ka njohur duke e lënë të vdekur në vend. Familjarët akuzuan për këtë vrasje pikërisht Fatbardh Licin, e ekzekutuar pak javë më parë në Shkodër.
30 nëntor 2012
Ekzekutohet në mënyrë mafioze duke shkuar me makinë në Shtëpi Admir Koçia. Ai njihej ndryshe edhe si Mir Koçia. Ky i fundit ishte i dyshuar nga policia për vrasjen e Çim Cafit, Astrit Meshnunit si edhe disa krime të tjera të ngjashme, të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë.
20 janar 2013
Ekzekutohet me armë zjarri Kujtim Vajushi. Ai njihej si rivali i Mir Koçisë, me të cilin kishte patur një përplasje me armë të vitin 2003, prej të cilës mbeti e vdekur një vajzë 13 vjeçare. Autorët nuk u gjenden kurrë.
18 mars 2013
Vriten në Pritë vëllezërit Gjovalin dhe Nik Pjetrushi. Vrasja u krye nga Admir Tafili për hakmarrje pasi familje e Tafilëve akuzon vëllain e tyre se vrau pa shkak babain, Bahri Tafili në vitin 2000 kur u ekzekutua edhe Kolonel Zylyftari. Tafilët pretendojnë se ishte vëllai i Gjovalinit dhe Nikës, Prelë Pjetrushi ai që vrau Zylyftarin dhe babain e tyre, Bahri Tafilin duke ia hedhur fajin më pas atyre.
14 qershor 2014
Vritet në mënyrë mafioze Enver Barbullushi, i cili mori një plumb në kokë, ndërsa u plagosen djali i tij 24 vjeçar dhe Nezir Shega, vëllai i Xhabir (Vid) Shegës. Barbullushi ishte akuzuar se mori pjesë në vrasjen e Indrit Bajrit në vitin 2001 ku i pranishëm ishte edhe Vid Shega dhe Mir Vetlla. Ky i fundit u dënua për këtë krim, por më pas tha se u pajtua me fisin e Bajrve dhe ata e falën.
Gusht 2014
I bëhet atentat me snajper nga Kalaja e Shkodrës Xhabir Shegës. Ai njihej më shumë si Vid Shega dhe akuzohej për vrasjen e Indrit Bajrit si edhe të pesë personave në vitin 1999. Xhabir Shega plagoset në krah dhe i shpëton atentatit.
Qershor 2015
I bëhet sërish atentat me snajper nga Kalaja e Shkodrës, Xhabir Shegës kur ai ndodhej në oborrin e shtëpisë pasi kishte dalë dy vite më parë nga burgu. Dy plumba e goditën në gjoks. Shega ndërroi jetë në spital. Autorët dhe porositësit nuk u gjetën.
29 qershor 2017
I bëhet atentat Ilmir Hajdarit ose siç njihej ndryshe Mir Vetlla. Tetë plumba përshkuan trupin e tij. Ai u soll me helikopter në Tiranë duke i shpëtuar atentatit.
16 janar 2018
I bëhet atentat me eksploziv Lulzim (Lul) Kullës, i afërm i Fatbardh Licit. Kulla i shpëtoi këtij atentati pa plagë, ndërsa bomba e vendosur në një motorçikletë pranë makinës së tij shkatërroi dyqanet përrreth duke tronditur mjaft qytetin e Shkodrës.
18 qershor 2018
Vritet në rrethana misterioze në punishten e tij Mehdi Kavaja. Nuk dihet as shkaku dhe as rrethanat e tjera të vrasjes së tij.
15 korrik 2018
Ekzekutohen brenda në makinë, në momentin që po ktheheshin për në shtëpi, ish-efektivi i policisë Boran Bërçama dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci. Policia nuk ka asnjë të arrestuar për këtë vrasje edhe pse ngjarja ishte filmuar nga kamerat e sigurisë.
11 gusht 2018
Vritet në lokal Fatbardh Lici. Personi i maskuar qëlloi 15 herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Më pas policia gjeti një makinë të djegur. Autori dhe porositësit nuk janë gjetur.
23 gusht 2018
Zhduken pa lënë gjurmë Agron Mollaj dhe Gëzim Hysaj. Prej asaj dite familjarët nuk kanë informacion për vendndodhjen e tyre.
1 shtator 2018
Ekzekohet duke bërë stërvitje me kalë Arjan Ferracaku. Autori qëlloi fillimisht nga larg me kallashnikov dhe pasi e plagosi iu afrua duke e ekzekutuar edhe nga afër. Policia po heton në dy pista, atë të një konflikti për pronën si edhe të mos pagesës së një gjobe të vendosur nga grupe kriminale në Shkodër.
11 nëntor 2018 ekzekutohet me plumb në kokë Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Ai u vra teksa po shiste peshk në tregun e qytetit, ndërsa rrethanat e vrasjes janë ende mister. Asnjë i arrestuar apo i shpallur në kërkim për këtë vrasje.
Mars 2019, ekzekutua në qytet edhe biznesmeni Ferdinand Polia. Policia ka identifikuar atentatorët dhe ka bërë arrestimin e dy vëllezërve duke shpallur një tjetër në kërkim.
Mars 2019, ekzekutohen në derën e shtëpisë, Astrit dhe Brahim Bilali. Astrit Bilali është babai i Astmer Bilalit, i arrestuar për llogari të grupit Bajri.