Një delegacion ukrainas ka rënë dakord mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton ABC, duke cituar një zyrtar amerikan.
“Ukrainasit e kanë pranuar marrëveshjen e paqes. Ka disa detaje të vogla për t’u sqaruar, por ata kanë pranuar një marrëveshje paqeje”, tha burimi.
Presidenti i SHBA Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në lidhje me negociatat e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë tha se janë afër një marrëveshje.
“Jemi shumë afër një marrëveshjeje“, tha Trump.
Ndërkohë, vonë mbrëmjen e së hënës dhe gjatë gjithë të martës, Sekretari i Ushtrisë Amerikane Driscoll dhe ekipi i tij zhvilluan diskutime me delegacionin rus për të arritur paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
Bisedimet po përparojnë mirë dhe ne mbetemi optimistë. Sekretari Driscoll është në kontakt të ngushtë me Shtëpinë e Bardhë”, tha nënkoloneli i Ushtrisë Amerikane Jeff Tolbert, zëdhënësi i Driscoll. Një zyrtar amerikan tha se Driscoll ishte planifikuar gjithashtu të takohej me zyrtarë ukrainas në Abu Dhabi.
Pas bisedimeve në Gjenevë, Rusia nisi një sulm masiv në Kiev dhe qytete të tjera, duke përdorur raketa detare kruiz, raketa balistike dhe dronë. Të paktën 6 persona u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën.
Autoritetet i cilësuan bombardimet si “një sulm masiv të kombinuar ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike”. Një zjarr shpërtheu në një ndërtesë 22-katëshe në lagjen Pechersk.
Banorët u evakuuan. Sulmi ndodhi në dy faza. Në fillim, rusët goditën pas mesnate. Pas disa orësh qetësie, sirenat filluan të binin përsëri rreth orës 5:30 të mëngjesit sipas kohës lokale, kur Rusia nisi një valë të dytë raketash kruiz drejt Kievit. Në disa zona, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike dhe ujë.
