2023 nisi me përjashtime dhe “kurthe” në selinë blu. Përjashtimi edhe i katër deputetëvë të tjerë që janë me Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, me firmë të Enkelejd Alibeajt, por pa mbledhje, ka nxitur një “luftë” të re. Në 24 orët e fundit janë hedhur në sulm të gjithë, me në krye Sali Berishën. Enkelejd Alibeaj ka prishur planet për ta larguar nga kreu i grupit parlamentar.
Deputeti Ervin Salianji dhe deputetë të tjerë që janë me Berishën, po punojnë që të shkarkojnë Alibeajn si kryetar grupi në Kuvend. Janë mbledhur edhe firmat, por Alibeaj e prishi këtë plan. Me përjashtimin e Oerd Bylykbashit, Tritan Shehut, Agron Shehajt dhe Belind Këlliçin, numrat nuk janë më të njjëtë. Salianji kishte siguruar thuajse të gjithë firmat e nevojshme, por pas vendimit të Alibeajt, atij i duhen edhe 4-5 firma të tjera që e ka të vështirë t’i sigurojë.
Nga ana tjetër, sulmet nga grupi i Berishës, janë të forta. Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj, e ka cilësuar si maskaradë përjashtimin e 4 deputetëve. Sipas tij ky vendim e dëmton më shumë opozitën. Kurse Belind Këlliçi shprehet i sigurt se Enkelejd Alibeaj nuk do të jetë më kreu i grupit parlamentar demokrat. Ai tregon se ka votuar për Ervin Salianjin, dhe beson se ai do të jetë kreu i ri i grupit parlamentar të PD-së. Nënkryetari i PD-së, deputeti Oerd Bylykbashki reagoi shkurt. ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur u mblodh me veten dhe vendosi që ushtria të marshojë”.
Analisti Shpëtim Nazarko, e cilëson një vendim të pritshëm, ndërsa theksoi se ajo që duhet të ndodhë është përpjekja për bashkim kur ndodhen dhe përballë një palë zgjedhjeve. Sipas tij, ajo që duhet të dimë është se nga i buron kjo fuqi Alibeajt për një vendim të tillë.
Kjo tregon se tani ka nisur një luftë e fortë brenda PD se kush do e mbajë grupin parlamentar. Berisha po lobon fort që të vërë në krye Salianjin, ndërkohë që Alibeaj duket se nga ana tjetër po lufton që të mos realizohet një skena ri tillë. /Tirana News/