Një zjarr i rëndë shpërtheu në një bllok banesash në Alby të Suedisë të dielën në mbrëmje. Sipas mediave vendase një shqiptar së bashku me fqinjët e tjerë janë kthyer në heronj, duke u ardhur në ndihmë të rrezikuarve dhe duke shpëtuar një burrë.
Flakët që përfshinë zonën ishin shumë të mëdha dhe nëse fqinjët nuk do të ndërhynin me shpejtësi zjarri mund të shkaktonte edhe viktima. Zjarri fillimisht kishte rënë në kuzhinën e banesave dhe më pas ishte shpërndarë me shpejtësi në të gjithë siprfaqen duke rrezikuar jetën e një banori që ndodhej në brendësi të njërës prej banesave.
Ishte shqiptari Kelman Qibini i cili ishte futur i pari për të shpëtuar fqinjët. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Matilda kishin vetëm tre muaj që ishin transferuar në zonë, por që sot janë kthyer në heronj të vërtetë.
“Po të vdiste burri do të ishte e vështirë të jetosh me mendimin se unë mund ta kisha shpëtuar atë,” thotë ai.
“Ka qenë e vështirë të flemë sonte. Jam akoma i mërzitur nga ajo që ndodhi” shtoi Kelman Qibini.
Më pas ai tregon edhe se si mori vendimin për të hyrë brenda banesës në flakë. “Kam dëgjuar që burri të bërtasë për ndihmë,” thotë Kelman.
Në fund shqiptari herojep edhe një mesazh për komunitetin.
“Unë ndoshta kam bërë atë që shumica e njerëzve do të kishin bërë në këtë situatë. Dhe ne ishim shumë fqinjë që i ndihmuam” thotë Kelman.