E arta Luiza Gega, kampione e Europës në atletikë, tha se sot ndihet krenare më shumë se kurrë. Luiza tha edhe se donte t’i tregonte Europës që edhe ne, një vend i vogël mund t’ia dalim.
“Sot ndjehem më e emocionuar se kurrë. Vendosa të vi me ngjyrat kuqezi se ndihem më krenare se kurrë, jo për aq sa arrita, por doja ti tregoja Europës që edhe ne mundemi. Unë në fakt dua ta nis me disa falënderime, sepse s’do isha kurrë sot, familja ime që ka sakrifikuar vërtetë shumë, trajnerit tim, sot nuk do isha këtu apo në majat më të larta të europës. Faleminderit zoti kryeministër. Më falni për emocionet nuk kam përgatitur fajlim por dua të them atë që ndjej”.
Po ashtu në fjalën e saj mes emocionesh, Gega tha se ajo ka pasur shumë oferta për të vazhduar me vende të tjera, por tha se e do shumë Shqipërinë dhe se ka besuar se vendi do të ndryshojë.
“Rrugëtimi nuk ka qenë kaq i suksesshëm sa unë them, por vendos që mos të dorëzohem. Kam pasur dhe oferta për të vazhduar me shtete të tjera, por e kam dashur këtë vend dhe kam besuar se do të vijojë një ditë që vendi jonë do të ndryshojë. Ne kemi vërtetë gjëra për të përmirësuar por kemi ecur shumë përpara. Siç flasim për ligjin e sportit, mbështetjen e bashkisë e KOKSH. Janë këto faktorë që mbështesin sportistët dhe them si nuk jam dhe një herë 20 vjeç ti kisha këto kushte. Nuk është kurrë vonë nëse do të punosh dhe do t’ja dalësh. Kam ndjerë shumë emocione në pistën e Munihut. Jam shumë e lumtur që mund të valëvis atë flamur e të dëgjoj atë himn në atë vend”.
Në fund, kampionia e Europës, dha një mesazh për të rinjtë e vendit. “Dua ti them gjithë të rinjve që nëse e doni këtë vend mund t’ja dilni pavarësisht vështirësive. Dua të falenderoj të gjithë vendin tim, i kam ndjerë kaq afër këto ditë pasi janë ndjerë krenarë për mua”.
Kordoni i madh me Yllin për Mirënjohje Publike, iu dorëzua Luiza Gegës nga kryeministri Edi Rama. “Duke të lutur të vish këtu, pa u trembur nga lartshtatësia ime. Sepse mua më rrofshin gjithë këto centimetrat e mia. Kjo letër është për të certifikuar që ylli nuk është i kontrabanduar është origjinal. Unë e di që ti je trime dhe nuk trembesh, por edhe vetë Napoloni ishte vetëm 2 centimetra më i gjatë se ty, por ishte 20 minuta më i ngadaltë se ty”.