E arta e Shqipërisë, kampionia Europiane në atletikë, Luiza Gega është pritur nga qindra qytetarë me flamuj kombëtarë, të cilët kanë përshëndetur kampionen.
Ajo nuk ka mbajtur dot emocionet dhe ka shpërthyer në lot, teksa ka marrë duartrokitjet nga qytetarët e shumë të cilët kishin dalë që ta presin. Në makinë, ishte edhe trajneri i atletes Taulant Stërmasi dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Me një gjest të veçantë ka zgjedhur kryeministri Edi Rama të urojë kampionen e Europës në atletikë. Teksa Gega mbërriti përpara kryeministrisë, Rama i puthi duart në shenjë mirënjohjeje.
Të shtunën, Luiza Gega bëri një paraqitje brilante në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kohën në 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qintat. Si rezultat i kësaj paraqitje Gega la pas gjermanen Meyer, e cila kishte edhe mbështetjen e publikut duke qenë se kampionati europian zhvillohet në Mynih. Një arritje e jashtëzakonshme e Gegës, e cila për më tepër vendosi edhe rekord europian të përmirësuar me pothuajse 6 sekonda.
Për Luiza Gegën ky ishte veçse sukses i fundit, pasi gati 1 muaj më parë u rendit e pesta në botë, një tjetër rezultat i pamenduar ndonjëherë në atletikën shqiptare. Për më tepër në fillim të korrikut Gega fitoi medaljen e artë në Lojrat Mesdhetare të zhvilluara në Algjeri.