Nga gara në garë, Luiza Gega tregon thjesht se është e jashtëzakonshme dhe krenari e mbarë Shqipërisë. Kampionia kuqezi ka dhuruar në orët e para të mëngjesit të sotëm paraqitjen më të mirë të të gjitha kohërave për Shqipërinë në një Kampionat Botëror, duke tejkaluar përsëri veten.
Gega u rendit e pesta në finalen e 3000 metrave me pengesa në evenimentin më madhor të atletikës që po mbahet në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Finalja e 3000 metrave me pengesa në Oregon rezultoi vërtetë spektakolare, teksa vendin e parë e zuri Norah Jeruto e Kazakistanit me kohën 8:52.02 (atlete e natyralizuar nga Kenia).
Në vend të dytë dhe të tretë u klasifikuan etiopianet Werkuha Gatachew (8:55.61) dhe Mekides Abebe (8:56.08), ndërsa e katërta Winfred Mutile Yavi (9:01.31) atlete keniane që përfaqëson Bahreinin. Për të gjetar një atlete që vrapon më shpejt se Luiza Gega, duhet vajtur vetëm në Kenia apo Etiopi, pasi në Europë e jo vetëm, ajo është KAMPIONE.