Njeriu që vulosi fitoren e bujshme në derbin e sotëm të Milanos, Romelu Lukaku, u shpreh se Interi tregoi karakterin e tij të vërtetë në pjesën e dytë kundër Milanit.
Pas sinjalizimit të triumfit 4-2 në derbin e luajtur mbrëmjen e sotme, sulmuesi belg ia dedikon suksesin e tij të golave tifozëve të Interit dhe skuadrës zikaltër, e cila me fitoren e sotme ndaj Milanit u ngjit në krye të kampionatit italian, por me pikë të barabarta dhe golavarazh më të mirë se Juventusi.
“Në pjesën e dytë bëmë shumë mirë, treguam mentalitetin tonë të vërtetë. Në pjesën e parë lamë shumë hapësira kundërshtarit. Urime Milanit, por ne luajtëm me më tepër intensitet në pjesën e dytë. Në 45 minutat e dyta patëm mentalitetin e vërtetë të Interit që nuk pranon të heqë dorë për asgjë.
E kam thënë gjithmonë, punoj që të ndihmoj skuadrën. Jam këtu për të fituar. Falë shokëve të mi, trajnerit dhe stafit po bëj shumë mirë. Kur erdha në Itali, e dija që do të ishte e vështirë të shënoja, por falë tifozëve, sot jam tepër i lumtur”, ishte deklarata e Lukakut pas triumfit 4-2 në derbi.