Qeveria braziliane do të refuzojë ndihmën e G7 prej 20 milionë dollarësh për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve në Amazonë.
“E vlerësojmë ofertën, por ndoshta këto burime janë më të nevojshme për ripyllëzimin e Europës”, ka thënë Onyx Lorenzoni, shefi i kabinetit i presidentit brazilian Jair Bolsonaro, në një intervistë duke siguruar se flakët janë nën kontroll.
Lorenzoni ka kritikuar hapur Emmanuel Macron për zjarrin që goditi Notre Dame në prill, duke thënë se nuk ka nevojë për leksione nga presidenti francez që “as nuk mundi të shmangë zjarret që mund të parandaloheshin në një kishë që është trashëgimi botërore e njerëzimit”.
Shefi i kabinetit i Bolsonaro ka theksuar se “Brazili është një vend demokratik dhe i lirë dhe që nuk ka provuar kurrë praktikën kolonialiste dhe imperialiste, që ndoshta është qëllimi i francezit Macron”.