Sfida e çdo prindi modern është gjithashtu sfida e mbretëreshës së popit, Madonna-s: si të tërheqësh vëmendjen e fëmijëve pasi u ke dhënë një celular në duar. Madonna thotë se e ka humbur marrëdhënien me fëmijët e saj sepse u dha celularë në moshë shumë të hershme, 13 vjeç. Prandaj, s’i ka dhënë ende një celular djalit të saj 13-vjeçar.
“Ishte gabim t’u jepja celularë fëmijëve në moshën 13-vjeçare,” tha Madonna në një intervistë për Vogue. “U dha fund marrëdhënieve që kisha ndërtuar me ta, vërtet. Celularët u bënë një pjesë e madhe e jetëve të tyre. U përmbytën nga imazhet në internet dhe filluan të krahasonin veten me njerëzit e tjerë dhe kjo s’u bën aspak mirë.”
Djali i saj i adoptuar, David, nuk ka ende celular. Ajo thotë që, nga gjithë fëmijët, ai i ngjan më shum asaj. “Me atë kam më shumë të përbashkëta. Më duket sikur më kupton më mirë,” tha Madonna për David, i cili është pjesë e një akademie rinore në klubin e futbollit Benfica në Lisbonë.
Gjithashtu, ajo kritikoi vajzën e saj 22-vjeçare Lourdes. “Ajo nuk motivohet nga të njëjtat gjëra si unë dhe mendoj se rrjetet sociale e lodhin shumë e bëjnë të ndihet sikur: “njerëzit do të më falin gjëra sepse jam vajza e Madonna-s.” Përpiqem t’i jap shembuj fëmijësh të tjerë të famshëm që e marrin atë sentiment dhe e përpunojnë e si pasojë, fillojnë të merren seriozisht nga të tjerët,” tregon artistja.