Moti i keq ka prekur edhe qarkun e Beratit, me reshje intensive shiu dhe dëbore në zonat malore.
Policia Rrugore ka shpëtuar sot (12 Janar) një familje që kishte mbetur në rrugën që të çon për në malin e Tomorit, pasi automjeti me të cilin qarkullonin nuk mund të vijonte lëvizjen për shkak të dëborës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, në aksin rrugor Poliçan-Mali i Tomorit, ku u konstatua një automjet që kishte mbetur në rrugë dhe në brendësi të tij ndodheshin 5 shtetas, midis tyre 2 fëmijë (familje) të cilët kishin mbetur në vendin e quajtur “Gjurma”.
“Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit dhe në kthim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, automjeti i tyre kishte xhiruar dhe për pasojë kishte pësuar dëmtime në goma, duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit të Beratit. Shërbimet e Qarkullimit Rrugor i transportuan me automjetin e tyre deri në banesë shtetasit që ndodheshin në automjet”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Teksa Policia apelon ndaj shoferëve që të mos udhëtojnë në këtë zonë pa zinxhirë apo goma dimërore dhe të moderojnë shpejtësinë. Borëpastrueset po vijojnë punën në këtë aks rrugor për pastrimin e rrugës.