Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në kryqëzimin e Dajçit, në superstradën Lezhë-Shkodër. Si pasojë e përplasjes së një kamioni me një makinë tip “Benz” ka humbur jetën një 55-vjeçar.
Mësohet se viktima është Eduard Grishaj, 55-vjeç, banues në Shkodër. Grishaj ishte drejtuesi i makinës tip “Benz”, e cila si pasojë e përplasjes së fortë u fut e gjitha poshtë kamionit.
Nga informacionet e siguruara bëhet e ditur se 55-vjeçari ndërroi jetë në vend, por u desh më shumë se një orë për nxjerrjen e makinës nga kamioni e më pas nxjerrjen e trupit të pajetë.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe është duke punuar për zbardhjen e plotë të saj, ndërsa në ambientet e Komisariatit është bërë i mundur shoqërimi i drejtuesit të kamionit.