Kryetari i bashkisë Mat Agron Malaj pati një takim me ekipin e futbollit dhe pastaj së bashku me kandidaten për deputete të PS-së takoi tifozët matjanë.
Gjatë fjalës së tij Malaj theksoi se skuadra e futbollit kur ai mori drejtimin e bashkisë ishte në gjendje të vështirë dhe vihej në dyshim ekzistenca e skuadrës me histori të gjatë në futbollin shqiptar.
“Terrenet sportive ishin lënë në mëshirë të fatit. Ato ishin pushtuar nga ferrat dhe mbetjet. Kur ne erdhëm në krye të bashkisë investuam fillimisht në stadiumin “Liri Ballabani” dhe pastaj treguam vëmendje për sigurimin e lojtarëve cilësorë. Së shpejti nisin punimet për aneksin e këtij stadiumi. Kujdes do të tregojnë në muajt e ardhshëm edhe për stadiumin ekzistues. Presim që skuadra të performojë mirë dhe të ngjitemi aty ku e meritojmë, në Superiore”, u shpreh Malaj.
Ndërkohë kandidatja Aurora Mara kërkoi mbështetjen e tifozëve në zgjedhjet e 25 prillit dhe tha se do të jetë në krah të kryetarit të bashkisë për lartësimin e futbollit dhe sporteve të tjera në Mat.